Nis peticioni kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur një peticion kombëtar për një gjykim të drejtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ky peticion është një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të saj.
Ky peticion do të realizohet në bashkëpunim me shtatë universitete, përfshirë një nga Tirana, një nga Shkupi dhe një nga Tetova.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka bërë të ditur se ky peticon hyn në fuqi që sot në sistemin online dhe në formë të shkruar, raporton kp.
“Ne nuk do ndalemi kurrë kundër Gjykatës Speciale jo kundër drejtësisë por padrejtësisë që po ndodhë. Ne kemi gjetur mbështetje nga shtatë universitete të Kosovës, në Tiranë një, Shkup dhe Tetovë. Ne kemi përgatitur një peticion kombëtar që do hy nga sot fuqi, Kemi dhe online dhe me letra”, tha Gucati.
Ndërsa, kryetari i parlamentit studentor të Universitetit të Prizrenit, Riad Bislimaj lexoi përmbajtjen e peticionit.
“Vendimi që pritet, ka peshë historike, juridike dhe politike. Si i tillë do të ketë ndikim në stabilitetin rajonal si dhe në perceptimin e drejtësisë dhe besimit në institucionet ndërkombëtare. Andaj, ne konsiderojmë se vendimi duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim. Kërkojmë respektim të plotë dhe të pakushtëzuar te të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Përfshirë edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit. Vlerësim rigoroz, profesional dhe plotësisht te paanshëm te provave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranueshmërisë. Përjashtim të menjëhershëm dhe të plotë të çdo prove të siguruar apo të pranuar nga autoritetet e Serbisë. Pranimi i provave të prodhuara nga ta, paraqet rrezik serioz për integritetin e procesit dhe bie ndesh me parimin e paanshmërisë dhe barazisë”, tha ai.
E Xhavit Jashari tha se prokuroria target kryesor ka luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka të bëjë vetëm me katërshen qe po gjykohet në Hagë.
Ai kërkon nga secili qytetarë, institucion dhe partitë politike që të nënshkruajnë këtë peticion.
“Konsiderojmë që nuk është vetëm për katërshen, kjo prokurori target kryesor e ka luftën e UÇK-së. Ne e pamë edhe gjatë fjalës përfundimtare sesa herë brenda afatit të shkurtër përmendet UÇK-ja, në vazhdimësi nuk e kemi besimin te prokuroria.
Kësaj radhe dua ta ndaj gjykatën nga prokuroria, sepse kërkesa për 45 vjet përveç që është absurde ne kemi thënë se është edhe politike. Edhe kjo kërkesë përmes këtij peticioni, i ftoj të gjithë ta nënshkruajnë. Lufta është vlerë e secilit qytetarë, ftojmë dhe institucionet dhe partitë politike që të japin kontributin e tyre. Do shpërndajë edhe në shtete të Evropës”, tha Jashari.
Sipas peticionit, vendimi duhet të bazohet në prova dhe fakte të administruara në gjykim.
Po ashtu u kërkua respektim i plotë dhe i pakushtëzuar i të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përfshirë edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit dhe përjashtim të menjëhershëm dhe të plotë të çdo prove të siguruar apo të pranuar nga autoritetet e Serbisë.
Peticionin mund ta plotësoni KËTU.




















































