Nis pastrimi në Theth, forcat e xhenjos largojnë mbetjet e ndërtesave të rrënuara

Me mbështetjen e forcave të xhenjos, ka nisur sot pastrimi i mbetjeve inerte të ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit, ku më herët ishin ekzekutuar vendime për prishjen e 40 strukturave të ngritura pa leje.
Këto ndërtime përfshinin objekte me mur, konstruksione metalike dhe druri, të cilat – sipas autoriteteve – përbënin shkelje të rënda të ligjit për zonat e mbrojtura.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se operacioni është pjesë e fazës së dytë të “Rilindjes Urbane” dhe synon rikthimin e normalitetit në një nga zonat më të rëndësishme turistike dhe natyrore të vendit.
“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje. Kjo është një domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Ai shtoi se forcat e xhenjos do të qëndrojnë në zonë deri në heqjen e plotë të çdo mbetjeje, ndërsa ka mbetur edhe një godinë masive për t’u shembur për ta përmbyllur procesin.
Kryeministri vlerësoi ata që kanë kontribuar ndër vite për ta bërë Thethin një destinacion të lakmuar turistik, ndërsa dënoi ashpër ndërhyrjet që, sipas tij, kanë qenë një “marrëzi kriminale” në dëm të historisë, ligjit dhe natyrës./Telegrafi/
















































