Nis ndërtimi i kompleksit në Istog: 65 banesa për familjet në nevojë dhe çiftet e reja

Në një ceremoni të organizuar në Istog, u vendos gurthemeli i Kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social, një projekt ky që përfshin ndërtimin e 65 njësive banesore në një sipërfaqe prej 9,120 m².
Gurthemeli u vendos nga kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati.
Kompleksi do të përfshijë 52 banesa për banim të përballueshëm dhe 13 për banim social. Vlera e projektit është 4.9 milionë euro dhe kohëzgjatja e punimeve është paraparë të jetë tri vjet. Banesat do të ndërtohen sipas katër tipeve të ndryshme: Tipi A (53 m²), Tipi B (66 m²), Tipi C (77 m²) dhe Tipi D (87 m²).
Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij projekti si pjesë e Agjendës Qeveritare për Banim të Përballueshëm dhe Social, të miratuar në fillim të mandatit të Qeverisë. Ai shtoi se ky program synon të ofrojë banim të denjë, të përballueshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët, mbi tri parime themelore: gjithëpërfshirje, mos-segregim dhe diversitet.
"Banimi është e drejtë themelore e njeriut", tha Kurti, duke falënderuar institucionet pjesëmarrëse dhe duke uruar që punimet të ecin mbarë e shpejtë.
Ministri Aliu sqaroi se projektit i ka paraprirë një proces i gjatë përgatitor, përfshirë studimet e fizibilitetit dhe ndryshimet në legjislacion që kanë mundësuar zbatimin e tij. Ai theksoi se ky kompleks do të ofrojë kombinimin e banimit social me atë të përballueshëm, në mënyrë që të promovohet diversiteti dhe të parandalohet getoizimi urban.
“Ne synojmë politika ku banesat sociale të jenë pjesë e zhvillimeve të reja urbane, e jo të ndara si në të kaluarën,” tha Aliu.
Ndërsa kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, u shpreh se kjo është një ditë e rëndësishme për komunën që ai drejton, duke pasur parasysh kërkesat e larta për banim nga qytetarët:
“Jam i lumtur që Istogu është komuna e parë që po fillon me zbatimin e këtij projekti me interes jetik për qytetarët tanë.”
Ky projekt realizohet si bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave përfituese. Komunat ofrojnë lokacionin dhe infrastrukturën përcjellëse, ndërsa ministria mbulon financimin, projektimin dhe mbikëqyrjen.
Përfituesit potencialë të banesave përfshijnë çiftet e reja dhe familjet me një prind vetushqyes, të cilët nuk kanë të zgjidhur çështjen e banimit dhe ku njëri nga partnerët është nën moshën 37 vjeç.
Projekti në Istog është pjesë e një programi më të gjerë, i cili përfshin gjithsej 13 komuna, ndërsa faza fillestare ka përfshirë pesë prej tyre: Pejën, Podujevën, Gjilanin, Kamenicën dhe Istogun. Deri më tani janë nënshkruar katër kontrata për ndërtim në shtatë llote në komunat përkatëse, me vlerë totale prej mbi 32 milionë euro.





















































