Nis “faza B” për votën e diasporës: Pas vulosjes, fletët e votimit personalizohen për çdo votues

Procesi i përgatitjes së fletëve të votimit për zgjedhësit jashtë vendit ka hyrë në fazën e dytë.
Pas përfundimit të fazës së parë me vulosjen dhe futjen e fletëve të votimit në Zarfin A, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur vendosjen e materialeve në Zarfin B, i personalizuar për çdo votues.
Zarfi B përmban të dhënat individuale të votuesit, së bashku me udhëzuesin dhe numëratorin e postës. Të dyja zarfet do të paketohen në zarfin përfundimtar, që do të dërgohet me postë.
Përgjatë dy ditëve në ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë, 245 mijë fletë votimi u vulosën nga punonjësit e KQZ-së në 12 tavolina pune, një për secilin qark.
Në proces janë angazhuar 120 punonjës të ndarë në tri turne, ndërsa shpërndarja e parë e zarfeve drejt votuesve pritet të nisë të hënën, pa u përmbyllur e gjithë sasia.
Për vendet e Europës, pakot pritet të mbërrijnë deri më 22 prill, ndërsa në kontinentet e tjera, afati maksimal i mbërritjes është 25 prilli.
Dorëzimi do të bëhet personalisht nga postieri, i cili do të kryejë deri në tre tentativa për të kontaktuar votuesin.
Nëse nuk arrihet kontakti, zarfi do të lihet në kutinë postare më të afërt.
Votat e diasporës, që mbërrijnë në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohen të pavlefshme./rtsh




















































