Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjakovë në orët e para të mëngjesit, ku një person humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Policia ka njoftuar se i dyshuari për këtë vrasje është i njohur për organet e rendit dhe se i njëjti ndodhet në arrati dhe po ndërmerren masa për kapjen e tij.


Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha në një konferencë për media se ngjarja është regjistruar si “vrasje e rëndë”.

“Sot siç e dini në mëngjes, rreth orës 5 e 30, kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë, dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri. Si pasoj e plagëve të marra, njëri nga këta persona ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij atje”, tha Elezaj.

Elezaj theksoi se njësitë e policisë dhe prokurori i shtetit kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.

“Aktualisht si drejtori jemi duke ndërmarrë masa për arrestimin e personit të dyshuar, lokalizimin në fakt dhe arrestimin e personit të dyshuar i cili deri më tani gjendet në arrati”, është shprehur ai.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale, përfshirë disa gëzhoja dhe një armë e ftohtë.

“Atë që mund ta ndajmë tash, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë aktualisht me publikun, duke qenë se jemi në fazën fillestare të hetimeve”, tha Elezaj.

Hetimet vazhdojnë dhe policia po punon intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit. /Telegrafi/