Kosova po përballet me dështimet e njëpasnjëshme të seancave për konstituimin e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Edhe tentimi i 48-të dështoi sot, ndërsa kriza institucionale mbetet ende e pazgjidhur.


Të gjitha sytë janë tashmë te Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, dhe mundësia e një marrëveshjeje me Nismën Socialdemokrate, që shihet si e vetmja rrugë për zhbllokimin e situatës. Një takim mes këtyre dy subjekteve pritet të zhvillohet këtë vikend.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, deklaroi sot se subjekti i tij mbetet i hapur për bisedime, por se përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e situatës i takon LVV-së.

“PDK-ja që nga dita e parë është duke pritur iniciativë nga koalicioni fitues. Është duke pritur një nismë për zhbllokim të situatës, mirëpo kjo nuk varet nga ne... Ne jemi të hapur për takim në çfarëdo kohe”, tha Qalaj, duke shtuar se mirëpret edhe takimet mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt.

Në linjë të ngjashme, edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, tha se janë në pritje të një marrëveshjeje ndërmjet LVV-së dhe Nismës, por përjashtoi mundësinë që LDK-ja të përfshihet në një koalicion me Vetëvendosjen.

“S’ka të bëjë me LDK-në. LDK-ja ka pozicionimin jo. Kurti-Limaj dhe të tjerët që po punohet… Derisa s’ka një marrëveshje në tavolinë nuk je fort i angazhuar, dhe ky është problemi që po shohim”, tha Haziri.

Nga ana tjetër,deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, nuk e përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes në një takim të mundshëm të ftuar nga Nisma, por tha se do ta shqyrtojnë kur të marrin ftesën zyrtare.

“Nuk e di se çfarë pozicioni ka nëse Limaj i fton partitë në takim, por do ta shohim... deri tash nuk kemi marrë ndonjë ftesë”, deklaroi Haradinaj.

Të gjitha këto deklarata vijnë në prag të afatit të 26 korrikut, që sipas Gjykatës Kushtetuese përbën afatin e fundit kushtetues për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve. Në të kundërtën, vendi mund të përballet me rrëzimin përfundimtar të legjislaturës dhe shkuarjen në zgjedhje të reja./Telegrafi/