Ngërçi politik, Haradinaj: Angazhimi i presidentes ishte i nevojshëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se tashmë me angazhimin e presidentes Vjosa Osmani ekziston mundësia e ngrirjes së afatit 30 ditor.
Haradinaj e quajti të nevojshëm angazhimin e presidentes.
“...Tashmë, me angazhimin e presidentes, ekziston mundësia e pauzës e ngrirjes së afatit 30 ditor... Do të thotë na mbesin pak ditë në mënyrë që të gjeturat e reja të gjykatës të munden mu zbatu brenda afatit 30 ditor kurdo që krijohet edhe njëherë mundësia e vazhdimit...”, tha ai.
Sipas tij, e vetmja shpresë mbetet kjo, pasi sot nuk sheh ndonjë ndryshim.
Tutje, kryetari i AAK-së tha se AAK ka dhënë opsionet e saj dhe se do të jap votën për ndonjë kandidat unifikues.
Ndryshe, një ditë më parë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar situatën e ngërçit politik dhe krizës institucionale, duke njoftuar se ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh.
Në një konferencë për media, Osmani theksoi se kjo kërkesë ka për qëllim të parandalojë shkeljen e Kushtetutës nga ana e deputetëve në rast të konstituimit të Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues, apo krijimit të një qeverie në mënyrë të kundërligjshme. /Telegrafi/



















































