Nga mesazhet sekrete te transferimi madhor: Si Haaland e bindi Donnarumman të nënshkruante për Cityn

Portieri Gianluigi Donnarumma ka zbuluar se Erling Haaland luajti rol vendimtar në transferimin e tij te Manchester City gjatë verës – një detaj që nuk ishte bërë publik deri më sot.
Italiani foli për “Sky Sports”, ku rrëfeu marrëdhënien e ngushtë me sulmuesin norvegjez dhe se si pikërisht ajo miqësi e shtyu drejt një prej hapave më të rëndësishëm në karrierë.
Donnarumma tha se Haaland është “aq i qetë dhe i përkushtuar ndaj familjes” dhe se të dy kishin krijuar një lidhje të veçantë edhe para se të bëheshin bashkëlojtarë. Madje komunikimi mes tyre ka qenë i vazhdueshëm pas çdo ndeshjeje ku përballeshin në fushë.

Ai tregoi se sapo iu hap mundësia për t’u transferuar në Etihad, Haaland i shkroi menjëherë për ta bindur që të bashkohej me Cityn.
“Është me të vërtetë mik i madh – dhe është fat i madh që tani jam në të njëjtën skuadër me të, sepse është tmerr të luash kundër tij. Është alien”.
Italiani ka filluar fuqishëm aventurën në Angli, me gjashtë porta të paprekura në 12 paraqitje. Paraqitjet e tij po ndikojnë drejtpërdrejt në rikthimin e formës së Cityt dhe po e vendosin skuadrën e Pep Guardiolës si sfiduesin kryesor të Arsenalit në garën për titull në Liga Premier./Telegrafi





















































