eksperti ad

Edicioni i tretë i festivalit “KAH DRITA” do të nisë më 4 korrik në Junik, duke sjellë një program të pasur kulturor e artistik, të frymëzuar këtë vit nga transhumanca, tradita shekullore e lëvizjes sezonale drejt bjeshkëve.

Organizatorët bëjnë të ditur se festivali do të ndërthurë trashëgiminë kulturore, artin dhe natyrën, duke e vendosur në fokus një praktikë që vazhdon të jetë pjesë e identitetit kulturor të rajonit dhe që nga viti 2023 është e regjistruar në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.


Programi i 4 korrikut do të nisë në Valavicë me punëtorinë “Makina VS Njeriu: Kur të përdoret AI”, të organizuar nga MADVERSE, e cila do të pasohet nga punëtoria për fëmijë “Transhumana”, nën udhëheqjen e Hajat Tocillës.

Në vazhdim, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqjen e dokumentarit “Stina e Stanit”, realizuar nga Çlirimtare Januzaj dhe Urtesa Zeneli, ndërsa pas projeksionit do të zhvillohet edhe një diskutim me autorët e filmit.

Ceremonia zyrtare e hapjes së festivalit do të mbahet në Ballkonin Panoramik në Gjoçaj, duke filluar nga ora 18:30, ku njëkohësisht do të bëhet edhe përurimi i kësaj hapësire.

Më pas, programi artistik do të vazhdojë në Amfiteatrin e Moronicës me koncertin e “Dukagjin Muhaxheri Quartet”, i cili do të sjellë interpretime bashkëkohore të frymëzuara nga muzika tradicionale shqiptare. Po ashtu, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë performancën e grupit arbëresh nga Italia, “Peppa Marriti Band”, i njohur për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë muzikore të komuniteteve arbëreshe.

Dita e dytë e festivalit, më 7 korrik, do t’i kushtohet përjetimit të drejtpërdrejtë të transhumancës në Bjeshkët e Junikut. Pjesëmarrësit do të udhëtojnë nga Prishtina drejt stanit të familjes Krasniqi, ku do të njihen me jetën në bjeshkë, traditat e blegtorisë dhe procesin e përgatitjes së produkteve tradicionale të qumështit.

Programi do të përfshijë gjithashtu ecje në kullota, drekë tradicionale në stan dhe interpretimin e këngëve të bjeshkës nga Ansambli Kulturor-Artistik i Deçanit, duke ofruar një përjetim autentik të kësaj tradite të lashtë.

Përmes edicionit të sivjetshëm, festivali “KAH DRITA” synon të afrojë publikun me trashëgiminë kulturore jo vetëm përmes rrëfimit, por edhe përmes përvojës së drejtpërdrejtë, duke krijuar një hapësirë ku arti, natyra dhe komuniteti ndërthuren. /Telegrafi/