"Nga kabllot elektrike te shkolla e pilotimit" - si po vijnë investimet gjermane në Kosovë përmes diasporës, Vasolli jep detajet

Kosova dhe Gjermania ndajnë një lidhje të gjatë historike, ekonomike dhe njerëzore, e cila është përforcuar ndër vite nga mijëra biznese, profesionistë dhe familje të diasporës. Por, përkundër kësaj lidhjeje të fortë, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ende nuk po arrin potencialin e plotë të tij.
Në një intervistë për “Përballje Podcast në Telegrafi.com, Besnik Vasolli, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, foli për sfidat dhe mundësitë e këtij bashkëpunimi, duke theksuar se Kosova duhet ta shfrytëzojë në mënyrë shumë më strategjike përvojën dhe ndikimin gjerman në zhvillimin e saj ekonomik. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.
- YouTube www.youtube.com
“Gjermania është vëllai i madh i Kosovës. Që nga vitet ’70, gjermanët i kanë hapur dyert punëtorëve tanë, e më pas edhe refugjatëve gjatë luftës. Edhe sot, Gjermania mbetet ndër përkrahëset më të mëdha politike dhe ekonomike të Kosovës”, tha Vasolli.
Sektorët më të fuqishëm të bashkëpunimit
Sipas tij, sektorët me potencial më të madh rritjeje në bashkëpunimin Kosovë–Gjermani janë teknologjia informative (ICT), energjetika e ripërtëritshme, prodhimi i lehtë industrial dhe bujqësia.
Ai përmendi se Kosova tashmë eksporton një vlerë të konsiderueshme të shërbimeve në tregun gjerman, duke u bërë një vend atraktiv për “outsourcing”.
“Kemi kompani kosovare që 100 për qind të prodhimit e eksportojnë në Gjermani. Ka kërkesë të madhe për shërbime nga Kosova, sidomos në IT, ku rinia jonë po e dëshmon veten si e aftë dhe profesionale. Kjo është një arsye pse shumë kompani gjermane po i transferojnë proceset e tyre të punës këtu”, shtoi ai.
Megjithatë, Vasolli vuri në dukje se Kosova ende nuk ka arritur nivelin e konkurrencës rajonale. Si shembull, përmendi Maqedoninë e Veriut, e cila ka arritur mbi 5 miliardë euro qarkullim ekonomik me Gjermaninë, ndërsa Kosova ndodhet rreth 700–800 milionë euro.
“Maqedonia ka përparuar shumë, sidomos në autoindustri dhe energji të ripërtëritshme. Aty investitorët trajtohen me prioritet dhe kanë ‘one stop shop’ për leje e dokumente. Te ne, përtej fjalëve deklarative, ende nuk ka ndryshuar shumë në praktikë,” deklaroi Vasolli.

Burokracia dhe paqëndrueshmëria politike – pengesat kryesore
Një nga mesazhet kryesore të Vasollit ishte se burokracia e tepruar dhe mungesa e stabilitetit politik janë ndër faktorët që i dekurajojnë investitorët gjermanë.
“Një investitor gjerman më tha se në Maqedoni e përfundoj projektin për dy vjet, në Kosovë më duhen pesë. Jo për shkak të kostove, por për shkak të burokracisë dhe pengesave administrative. Kjo është e papranueshme nëse duam të jemi konkurrentë në rajon,” u shpreh ai.
Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale dhe krizat politike të zgjatura po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë reale të vendit.
“Nëse nuk ke qeveri të plotfuqishme, nuk ke investime të reja. Kjo ndikon në likuiditetin në treg, në qarkullimin e parasë, në aftësinë e bizneseve për të zhvilluar projekte. Dhe kur investitori sheh pasiguri, ai ose e shtyn vendimin për investim, ose shkon diku tjetër,” shtoi ai.
Diaspora – aseti më i madh i Kosovës
Një pjesë e madhe e diskutimit iu kushtua diasporës kosovare në Gjermani, të cilën Vasolli e përshkroi si “forcën më të madhe të butë” të vendit.
“Në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë kosovarë. Kjo është një fuqi e jashtëzakonshme. Shumica e investimeve që ndodhin në Kosovë kanë një lidhje me diasporën – qoftë si ndërmjetësim, qoftë si partneritet,” tha ai.

Ai solli disa shembuj konkretë investimesh të realizuara përmes lidhjeve të diasporës: një qendër për kujdes ndaj të moshuarve me standarde gjermane, një fabrikë për prodhimin e kabllove elektrike dhe një shkollë pilotimi që tashmë ka licencë për operim në Kosovë.
“Këto janë histori suksesi që tregojnë se diaspora nuk është vetëm dërguese remitencash, por edhe bartëse e dijes, përvojës dhe kapitalit. Kjo energji duhet të kanalizohet drejt investimeve produktive, jo vetëm drejt tregut të pasurive të paluajtshme,” theksoi ai.
Vasolli shtoi se remitencat, ndonëse mbeten të rëndësishme për ekonominë, nuk janë formë e qëndrueshme zhvillimi.
“Remitencat ndihmojnë familjet, por nuk krijojnë vende pune. Kosova ka nevojë për strategji që diasporën ta trajtojë si investitor, me mekanizma të qartë institucionalë për ta tërhequr kapitalin e saj,” tha ai.
E ardhmja dhe Forumi Ekonomik Kosovë–Gjermani
Në fund, Vasolli paralajmëroi se gjatë nëntorit Oda do të organizojë tri vizita promovuese në Gjermani – në Stuttgart, Frankfurt dhe Hamburg, për të prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investime, me fokus në sektorin e ICT-së, energjisë së gjelbër dhe industrisë kreative.
Gjithashtu, në vitin 2025 do të mbahet Forumi Ekonomik Kosovë–Gjermani në Prishtinë, ku pritet të marrin pjesë qindra kompani nga të dy vendet.
“E ardhmja ekonomike e Kosovës është e ndritur. Ne kemi rini të talentuar, ndërmarrësi të fortë dhe energji pozitive. Nëse arrijmë ta kthejmë këtë potencial në politika të mençura ekonomike, mund të përparojmë më shpejt se shumë vende të rajonit,” përfundoi Vasolli./Telegrafi/.









































