Faqja e specializuar e statistikave dhe transferimeve Transfermark ka publikuar formacionin më të vlefshëm në botë, ku yjet e kësaj 11-she vlen hiç më pak se 1.2 miliard euro.
Viti 2022 ka vë në pah edhe më shumë talent të mëdhenj që tashmë janë konfirmuar në yje të mëdha të futbollit botëror.
Paraqitjet e tyre të mëdha për klubet dhe përfaqësueset e tyre në Kupën e Botës “Katar 2022” kanë bërë që shumë lojtarë të rrisin vlerën e tyre.
Por, kush janë lojtarët më të shtrenjtë në botë dhe sa vlejnë ata?
Faqja e specializuar e statistikave dhe transferimeve Transfermark ka publikuar shifrat e fundit të vlefshmërisë së lojtarëve, por edhe formacionin më të vlefshëm në botë.
Lojtari më i vlefshëm në botë aktualisht është ylli francez i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, i cili vlerësohet me 180 milionë euro, ndërsa pas tij vjen Erling Haaland me vlere 170 milionë euro.
Në anën tjetër, formacioni më i vlefshëm në botë vlen plot 1.2 miliardë euro dhe i gjithë është i mbushur me lojtarë të rinj, përveç portierit Thibaut Courtois, i cili ka mbushur 30 vjet.
Portier
Portieri i formacionit më të vlefshëm në botë është belgu i Real Madridit, Courtois, i cili vlerësohet 60 milionë euro.
Courtois është më i vlerësuari duke lënë pas vete emra si italiani i Paris Saint-Germain, Gianluigi Donnarumma dhe braziliani i Liverpoolit, Alisson, të cilët vlerësohen nga 50 milionë euro.
Mbrojtja
Mbrojtja e zgjedhur nga formacioni i Transfermakt është një rreshtim me tre qendërmbrojtës.
Dy më të vlerësuarit janë kroati i RB Leipzig, Josko Gvardiol dhe portugezi i Manchester Cityt, Ruben Dias, të cilët kanë vlerë në treg prej 75 milionë euro.
I treti është holandezi i Bayern Munich, Matthijs de Ligt me vlerë 70 milionë euro, por ka edhe lojtarë tjerë mbrojtës të pozitave tjera që vlerësohen po aq sa ish-ylli i Juventusit dhe Ajaxit.
Anglezi i Chelseat, Reece James, marokeni i PSG-së, Achraf Hakimi, kanadezi i Bayerni, Alphonso Davies, anglezi i Liverpoolit, Trent Alexander-Arnold, portugezi i Cityt, Joao Canclo dhe braziliani i PSG-së, Marquinhos, janë yjet tjera që vlejnë nga 70 milionë euro.
Mesfusha
Në mesfushën e zgjedhur nga Transfermark janë katër lojtarë, pasi Vinicius Junior llogaritet paksa më i avancuar, në këtë rast një sulmues i tretë.
Dy më të vlerësuarit e mesfushës janë anglezi i Borussia Dortmund, Jude Bellingham dhe anglezi i Cityt, Phil Foden, të cilët vlerësohen nga 110 milionë euro.
Anglezi tjetër i Arsenalit, Bukayo Sako me vlerë 100 milionë euro është renditur në krahun e djathtë, ndërsa spanjolli i Barcelonës, Pedri, gjithashtu me vlerë 100 milionë euro është renditur së bashku me Bellingham në qendër.
Megjithatë, ka edhe mesfushorë tjerë me vlerë 100 milionë euro, por që nuk kanë zënë vend në formacionin e zgjedhur nga Transfermarkt.
Gjermani i Bayern Munichut, Jamal Musiala dhe uruguaiani i Real Madridit, Federico Valverde janë dy mesfushorët tjerë që vlerësohen nga 100 milionë euro, ndërsa pas tyre vijnë Gavi (Barcelona) dhe Aurelien Tchouameni (Real Madrid) me nga 90 milionë euro vlerë.
Sulmi
Dy qendërsulmuesit më të vlerësuar në formacionin e Transfermarkt janë Mbappe me vlerë 180 milionë euro dhe Haaland që vlerësohet 170 milionë.
Sulmuesi i tretë më i vlerësuar në formacion është ylli brazilian i Real Madridit, Vinicius Junior, i cili vlerësohet 120 milionë euro.
Pas tyre, por që nuk kanë arritur të zënë vend në formacionin titullarë janë emra si Harry Kane (Tottenham Hotspur) me vlerë 90 milionë euro dhe Rafael Leao (Milan), i cili vlerësohet 85 milionë euro.
Formacioni më i vlefshëm në botë
/Telegrafi/