LAJMI I FUNDIT:

Nëse do ta njihnim më mirë historinë, do ta lexonim më mirë të tashmen

Nëse do ta njihnim më mirë historinë, do ta lexonim më mirë të tashmen
Timothy Snyder

Nga: Sam Jones / The Financial Times (Titulli origjinal: Historian Tim Snyder: ‘Our misreading of Russia is deep. Very deep’)
Përkthimi (me shkurtime): Telegrafi.com

[Në restorantin vjenez] Porzellan … e dalloj Tim Snyderin si i vetmi objekt i palëvizshëm në një fotografi me ekspozim të gjatë.

Buzëqesh teksa shtrëngojmë duart dhe ulemi.


Më pas, e shaj veten se pse nuk sugjerova që ta shtyjmë drekën. Snyderi, vetëm pak çaste më parë mësoi për vdekjen e shoqes së tij Victoria Amelina – shkrimtares ukrainase e cila ishte ndër viktimat e një sulmi me raketa ruse, në një restorant të mbushur përplot në qytetin Donbas të Kramatorskit. Dymbëdhjetë të tjerë u vranë në të njëjtin sulm, mes tyre edhe disa fëmijë. Dhjetëra të tjerë kanë pësuar lëndime.

E ngushëlloj …

Amelina, një romanciere e nderuar, që nga shpërthimi i luftës iu përkushtua dokumentimit të krimeve të luftës ruse në Ukrainë, veçanërisht kundër civilëve. Menjëherë pas fillimit të luftës, shkroi se si pushtimi rus – nga Stalini në vitet 1930 – e shkaktoi shkatërrimin e elitës kulturore dhe intelektuale të Ukrainës. Gati 100 vjet më vonë, ajo u vra. Snyderi reflekton: “Kjo tregon se lufta e Rusisë është ajo që është. Gjenocid.”

Siç bëhet e qartë gjatë rrjedhës së drekës sonë – që vazhdon shumë kohë pasi restoranti pastrohet nga darkat e të tjerëve – Snyderi, një nga historianët më të shquar për Ukrainën dhe për Evropës Qendrore dhe Lindore, nuk shmanget nga ngjashmëria me historinë, në karakterizimin që bën për Rusinë e Vladimir Putinit.

Historianët nuk duhet ta bëjnë këtë: ta fusin të kaluarën, me kaq guxim në të tashmen. Por, pastaj, ne gjithashtu mund të pyesim – dhe e bëjmë këtë, më vonë gjatë drekës sonë – se çfarë duhet të bëjnë historianët?

Snyderi, tani 53 vjeç, është profesori i historisë në Yale. Por, e ka bërë Vjenën shtëpinë e tij evropiane, qëkur zuri një vend kërkimor në Institutin e Shkencave Humane të qytetit, në vitin 1996 – pasi merr doktoratën nga Universiteti i Oksfordit. Këtu lindi fëmija i tij i parë dhe, siç thotë, shumë prej kujtimet më të lumtura janë këtu.

Shkurti i vitit 2022 ishte “moment i dytë 1938”, sugjeron Snyderi, duke iu referuar Konferencës së Munihut kur Britania dhe Franca u dorëzuan fatalisht ndaj kërcënimeve të Hitlerit mbi Çekosllovakinë.

“Për mua, personalisht, referenca për vitin 1938 është e rëndësishme, sepse ishte gabim i tmerrshëm. Sikur Britania dhe Franca të qëndronin prapa Pragës, ata do ta kishin pamundësuar Luftën e Dytë Botërore – ose të paktën në formën që merr”, thotë Snyder.

Sidoqoftë, Snyderi ankohet për leximin e keq të Rusisë nga politikanët perëndimorë – një problem që e kaplonte Barack Obamën dhe ende prek Gjermaninë dhe Francën. “Keqkuptimi ynë për Rusinë është i thellë”, thotë Snyder.

Ligjërimi i Snyderit për Ukrainën, që u dha në Yale – në vjeshtën e vitit 2022, gjashtë muaj pasi Rusia filloi luftën e saj – u postua në YouTube. Në kohën e këtij shkrimi, i pari nga ato leksione (janë 23) ka 1.3 milion shikime. Një adhurues i shquar ishte Volodymyr Zelenskyy, i cili e ftoi Snyderin në Kiev gjatë vitit të kaluar.

Manuali i gjenocidit i Rusisë
Lexo po ashtu Manuali i gjenocidit i Rusisë

Lufta nuk e solli Snyderin në qendër të vëmendjes. Në vitin 2010, libri i tij Bloodlands – një analizë e Holokaustit dhe gjenocideve të tjera – e bëri atë një nga historianët më të shquar të fushës. Ndërsa, ishte libri i tij i vitit 2017, On Tyranny, që e hodhi Snyderin në kupën qiellore intelektuale të Amerikës. Libri ishte manifest me 128 faqe kundër Trumpit.

“E shkrova [On Tyranny] meqë ndjeva se duhej ta shkruaja”, thotë ai. Dhe, më pas shton: “Ndihesha sikur u ngatërrova – sikur nuk kisha bërë mjaftueshëm dhe të tjerët nuk kishin bërë mjaftueshëm dhe se tani amerikanët do të ngatërrohen … Nuk jam dakord me pikëpamjen e disa kolegëve të mi që mendojnë se e vetmja mënyrë për të vazhduar është që të jesh vetëm historian – kjo nuk thotë asgjë për mua”, thotë ai.

Një nga mentorët intelektualë të Snyderit – mbikëqyrësi i tij në Oksford – ishte historiani britanik Timothy Garton Ash. “Imagjinojeni një kritik teatri që tërhiqet papritur nga ulëset për të luajtur në shfaqjen që donte ta vlerësonte”, shkroi Garton Ash në një ese tashmë të famshme të vitit 1995, mbi rolin e intelektualëve në jetën publike, duke u bazuar në përvojat e tij në Evropën Lindore. “Ky lloj qëndrimi është normal për mua”, thotë Snyder.

Si student e shihte historinë si mjet për të kuptuar mekanikën e politikës së fuqive të mëdha.

Por, kur mësoi më shumë për shtetet në Evropën Lindore – Poloninë dhe Çekosllovakinë në veçanti, dhe traditat e tyre intelektuale, veçanërisht nën sundimin komunist – u tërhoq në një drejtim tjetër. “Disi, këta njerëz në Evropën Lindore flisnin për gjithçka, përveç pushtetit. Sepse, nuk mundnin. Ishin të interesuar për filozofinë, letërsinë dhe historinë. Edhe njerëzit me diploma të fizikës ishin të përfshirë në këtë diskurs humanist”.

Snyderi është një nga historianët e paktë të aftë për të kryer kërkime origjinale në gjithë rajonin. Flet 10 gjuhë. “Mendoj se historia ka qenë formë e mrekullueshme çliruese e edukimit”.

Biseda jonë është kthyer sërish te Rusia, për të vendosur më shumë kontekst historik në debatin tonë publik. Snyderi flet me butësi dhe të jep përshtypjen se i ka peshuar fjalët e veta – por, idetë që ai nxjerr janë provokuese. E përmend analogjinë e tij fillestare, për situatën në Ukrainë, me vitin 1938.

E bën një pauzë. “Në analogjinë për të cilën po flasim, Rusia është Gjermania [naziste]. Dhe, mendoj se kjo është produktive si krahasim, por është gjithashtu tabu. Dhe, fakti që është tabu ka qenë që nga fillimi njëri prej problemeve tona”.

Njerëzit janë “çuditërisht hezitues” për ta quajtur Rusinë e Putinit si fashiste, thotë ai. “Por, ka shumë nivele në të cilat qëndron analogjia [me Gjermaninë naziste]”.

Për Snyderin, mungesa e qartësisë historike të Perëndimit për Rusinë, ka qenë gabim vdekjeprurës dhe vazhdon të jetë pasojë e leximit tonë të gabuar për Putinin. E dënon fokusin tonë të vazhdueshëm për zgjidhjet “pragmatike” të konfliktit dhe konceptimin e Putinit si politikan cinik.

Idetë radikale të Putinit janë minimizuar në mënyrë katastrofike në analizën tonë, beson Snyderi.

Hitlerizmi, siç ishte, vazhdoi të formësonte modus operandin e shtetit nazist. Por, me putinizmin, a nuk është rasti që modus operandi – kleptokracia cinike, e uritur për pushtet – ka arritur tek e vetmja ideologji e mbetur me të cilën mund të qeveriset?

Snyderi është në mëdyshje për këtë argument. Për të, idetë e Putinit kanë lindur në një periudhë shumë më të gjatë; ne ishim të verbër ndaj kësaj. “Kur Putini u kthye në zyrën e Presidencës [në vitin 2012], në proklamatat e tij në gjuhën ruse, në intervistat në radio dhe në shtyp, mund të shihni një botëkuptim të qartë që në thelb është botëkuptimi që është bërë më i njohur për ne që nga shkurti i vitit 2022, sipas të cilit nuk bëhet fjalë për shtete, është për qytetërime; nuk ka të bëjë me interesa, ka të bëjë me misione”.

Pjesa më e madhe e këtij terreni mbulohet në librin e tij të vitit 2018, The Road to Unfreedom, në të cilin filozofi reaksionar rus i fillimit të shekullit të XX, Ivan Ilyin, është frymëzim i putinizmit.

Pra, e pyes, a është kjo lufta e Putinit, apo kjo është lufta e Rusisë? “Kjo luftë po luftohet nga shumë njerëz që nuk quhen Vladimir Putin”, thotë Snyder. “Personi që shtypi butonin për ta lëshuar atë raketë në Kramatorsk, që vrau Victorian dhe ata fëmijë … dhjetëra mijëra ushtarë rusë që luftojnë dhe vrasin tani në Ukrainë tani …”!

Është çështje morale dhe empirike, shton ai. “Putini do të vdesë, dhe kur të vdesë, a do të thotë kjo se çdo gjë tjetër është falur? Të gjitha krimet? Dëbimet, rrëmbimet e fëmijëve, përdhunimet e grave, tredhjet e burrave, vrasja e elitës së Ukrainës? Si mund të përpunohet kjo sipas idesë se kjo është vetëm lufta e tij”?

Kur u takuam, ka kaluar një javë nga rebelimi i dështuar i kryekomandantit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe kështu jam kureshtar të pyes nëse – duke pasur parasysh devijimin fashist të shoqërisë ruse që identifikohet nga Snyderi – duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë dëshirojmë për rënien e Putinit?

“Putini nuk është vërtetë problemi ynë”, përgjigjet Snyder. “Dua të them se 30 vjetët e fundit kanë treguar mjaft qartë se ne në fakt nuk kemi shumë aftësi për të ndikuar në Rusi … herë pas here kemi dëshmuar se nuk ndryshojmë asgjë brenda Rusisë”.

Ai vazhdon: “Vërtitemi rreth e rrotull në qarqe ankthi, për atë që Rusia mendon për këtë luftë dhe nuk ia e lejojmë vetes të kuptojmë se rusët do t’i gjejnë mënyrat për veten e vet … Ata nuk kanë nevojë që ne t’i kemi grupet tona të fokusit dhe studimet tona dhe rrugëdaljet tona. Në aspektin antropologjik, rrugëdaljet nuk janë të zbatueshme për autostradat e tyre”.

“Puna është se Rusia nuk mund të ketë politikë të brendshme”, mendon Snyder. “Elita i ka vjedhur të gjitha paratë, të gjitha ligjet janë të korruptuara dhe nuk ka pothuajse asnjë lëvizje sociale apo mundësi ndryshimi në jetën e shumicës së rusëve, kështu që politika e jashtme duhet të kompensojë dhe të sigurojë lëndën e parë – skenografinë – për qeverisjen”.

“Historia është paksa si matematika”, thotë ai. “Sa më thellë të futesh, aq më e çuditshme bëhet. Dhe, më e bukur”.

Ai beson se duhet urgjentisht një vlerësim më i madh në diskursin tonë politik. “Problemi është se nuk mund të përballesh me problemet politike të klasit të parë, pa historinë”.

Për Snyderin, me përfundimin e Luftës së Ftohtë, rendi politik liberal perëndimor u kthye në një rrëmujë ahistorike. Historia, thotë ai, “u bë bisedë kokteji”.

“Ishte triumfi i paradigmës së mjeteve – paradigma menaxheriale [në politikë]”, shtjellon ai, “që tha se nuk duhet të flasim më shumë për ‘pse’ sepse kemi kuptuar gjithçka”.

Kjo e ka bërë Perëndimin më të paaftë në marrëdhëniet nëpër botë, dhe gjithashtu më të dobët në themelet demokratike, sepse “pa histori” … mitet më idiote bëhen normale.

“Historia na jep më shumë mënyra për të parë”, thotë ai.

E kaluara, me gjithë çuditë e saj, shpeshherë ka mënyra për të ndriçuar të tashmen.

“Ndoshta kjo është ana ime super-konservatore, por nëse të gjithë do të kishim pak më shumë njohuri për historinë, do të ishim më të pajisur për të lexuar të tashmen”. /Telegrafi/