Pasi hap njësinë e tij tregtare, Arben Istrefi, njëri prej tregtarëve në Kukës, rreshton dhe synon të shesë artikujt e parë në këtë periudhë që përkon me përgatitjet për nisjen e procesit shkollor. Çantat për nxënësit janë të shumëllojshme.

“Çanta shkolle për fëmijët në para-shkollorë ose fillore”, tha ai.


Nuk janë si shitjet e dikurshme. Arbeni thotë se kjo lidhet me rënien e numrit të nxënësve në shkolla, sigurisht nga rënia e përvitshme e numrit të popullsisë.

“Ka rënë lindshmëria, ka rënë edhe numri i nxënësve, një pjesë ikin jashtë në emigrim”, vijon ai.

Por rënia e shitjeve lidhet edhe me një fenomen tjetër të veçantë për Kukësin. Afërsia gjeografike dhe lëvizjet e shpeshta të qytetarëve drejt Prizrenit bëjnë që pjesa më e madhe e blerjeve, por edhe e shërbimeve të tjera, të kryhet atje. Për tregtarët e Kukësit kjo është njëfarë penalizimi.

“Kjo na penalizon shumë pasi shkon për të futur naftë makinës por merr edhe gjëra të tjera, por kjo është ekonomi tregu duhet me e pranuar”, tha tregtari në Kukës.

Në prag të nisjes së vitit shkollor, edhe institucionet përgjegjëse po bëjnë përgatitjet e fundit që lidhen me riparimet, lyerjet dhe mirëmbajtjen e shkollave. Ndërsa nga e hëna, më datë 25 gusht, nis edhe shpërndarja e librave për nxënësit e të gjitha cikleve shkollore.

Viti i ri shkollor nis më 8 shtator, pak më herët se vitet e tjera./RTSH