Në Malishevë nis repelimi i kafshëve kundër rriqrave për parandalimin e EHKK-së

Në Komunën e Malishevës ka nisur procesi i repelimit të kafshëve kundër rriqrave, si një ndër masat kryesore parandaluese në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike Krime-Kongo.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, ka vizituar nga afër fermerët në fshatin Senik, ku është duke u zhvilluar ky proces, duke theksuar rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit publik.
Ai ka sqaruar se rriqrat, të cilat bartin virusin, mund të kalojnë nga kafshët tek njerëzit, duke shkaktuar një sëmundje të rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse.
“Komuna e Malishevës e mirëpret repelimin e kafshëve si masën më efektive në parandalimin e EHKK-së. Njëkohësisht u bëj thirrje të gjithë fermerëve të Komunës së Malishevës që të bashkëpunojnë me operatorin në terren, në mënyrë që ky proces me rëndësi të veçantë të realizohet sa më mirë”, ka deklaruar Dukolli.
Sipas tij, procesi i repelimit në territorin e komunës po realizohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe gjatë këtij viti janë planifikuar katër faza të këtij trajtimi.
“Sot është viti i dytë me radhë që realizohet repelimi i kafshëve. Për këtë vit po zhvillohet faza e parë, ndërsa repelimi konsiderohet masa më efektive në parandalimin e përhapjes së EHKK-së dhe është pjesë e strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje”, ka shtuar ai.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje fermerëve që të bashkëpunojnë me ekipet në terren, në mënyrë që procesi të realizohet me sukses dhe të parandalohet përhapja e kësaj sëmundjeje në komunitet. /Telegrafi/




















































