Në kujtim të Reçakut, Shtimja mbyll bizneset më 15 janar

Komuna e Shtimes ka njoftuar se e enjtja, 15 janar 2026, do të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset që operojnë në territorin e komunës, në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të rënë në Masakrën e Reçakut.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Shërbime Publike, vendimi është marrë në bazë të rregullores komunale në fuqi dhe ka për qëllim shënimin e Ditës Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila ka rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare.
Në këtë ditë, të gjitha subjektet afariste obligohen të jenë të mbyllura, përveç disa veprimtarive esenciale. Lejohet të punojnë vetëm furrat e bukës, barnatoret farmaceutike, pikat e shitjes së karburanteve dhe sektori i gastronomisë.
Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se për kujdestari janë caktuar disa biznese të veçanta, të cilat do të ofrojnë shërbime për qytetarët gjatë kësaj dite pushimi.
Autoritetet komunale kanë bërë thirrje për respektimin e këtij vendimi, duke theksuar se mbyllja e bizneseve më 15 janar është një shprehje respekti dhe përkujtimi për viktimat e Masakrës së Reçakut. /Telegrafi/




















































