eksperti ad

Sot në Klinë, kryetari i komunës Zenun Elezaj ka bërë të ditur se është realizuar zbulimi i shtatores së Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, një prej figurave qendrore të historisë moderne të vendit dhe simbol i politikës së paqes, urtësisë dhe vizionit shtetformues.

Në ceremoninë solemne u theksua se kjo vepër monumentale nuk përbën vetëm një homazh artistik, por edhe një simbol të përhershëm të kujtesës historike, identitetit dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.


Nga sot, sheshi ku është vendosur shtatorja në Klinë do të mbajë emrin Sheshi "Ibrahim Rugova”, duke u shndërruar në një hapësirë publike me rëndësi të veçantë për reflektim, edukim qytetar dhe nderim të figurave historike.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, u vlerësua roli i Rugovës si burrështetas që, në periudhat më të vështira për Kosovën, zgjodhi rrugën e dialogut, rezistencës paqësore dhe përfaqësimit dinjitoz të çështjes kosovare në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu u shpreh mirënjohje për donatorët Marjan dhe Ilir Çubi, të cilët mundësuan realizimin e shtatores, duke kontribuar në pasurimin e hapësirës publike dhe ruajtjen e kujtesës historike në komunën e Klinë.

Në përmbyllje të ceremonisë u theksua mesazhi i përhershëm i respektit dhe mirënjohjes për figurën e Ibrahim Rugovës, si dhe u përsërit thirrja që trashëgimia e tij politike dhe morale të mbetet udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, thuhet tutje në njoftimin e postuar në rrjetin social Facebook nga kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. /Telegrafi/