Në Hagë u dëshmua edhe për “lopë” të humbura, çfarë thanë tjetër dëshmitarët?

Prokuroria e Specializuar në Hagë, ka ftuar qindra dëshmitarë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndërsa, pa folur drejtpërdrejtë për ndonjërin nga të akuzuarit, kishte edhe viktima të tërthorta që dëshmonin për fatin e familjareve të tyre me pretendimin se fajtor ishin anëtarët e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ajo se çfarë dua të dijë është ajo se çfarë i ka ndodhur bashkëshortit tim dhe do të ishte mirë që të paktën të gjenim qoftë edhe një kockë të vetme në mënyrë të tillë që t’i bënim një varr dhe të kisha një vend ku më në fund mund ta qaja atë”, ka thënë dëshmitarja e Prokurorisë, Stamena Jeliq.
Jeliq kishte thënë në Hagë se deklarata e saj për MUP-in serb përmban gjëra që ajo vetë nuk i ka thënë ndonjëherë.
Ndërsa, Predrag Dediq kishte deklaruar se KFOR-i e kishte vullnetin që të ia sillnin djalin në shtëpi, por, sipas tij nuk e lejuan UÇK-ja.
“Besoj që Stefani donte të ma sillte djalin por me gjasa UÇK-ja kishte më ndikim në atë fushë se sa ai. Unë besoj që UÇK-ja ishin përgjegjës. ata ishin ata që komandonin edhe pse KFOR-i e kishte detyrën për të mbrojtur vendin. besoj që ai nuk e bënte dot sepse nuk e lan, nuk e lejuan”, ka thënë Dediq.
Agim Idrizi, dëshmitar i Prokurorisë në Hagë, ishte ftuar me pretendimin se gjatë vitit 1999, ishte ndaluar nga disa anëtarë të UÇK-së. Para ndalimit, sipas përmbledhjes së Prokurorisë, dëshmitari ka shitur drunjë për disa policë serbë. Pretendohet se Idrizi ka mbështetur UÇK-në por se nuk është kyçur asnjëherë në të.
Idrizi, në sallën e gjyqit kishte mohuar se ka qenë polic i institucioneve serbe apo roje pylli.
“Nëse dikush mundet me gjetë emrin tem që kam punu polic, qysh kam ni këtu dokumente shkruan, se unë se kam ditë deri tash ai është hasmi më i madhi që e ka shkru emrin tem, ka shkru Agim Idrizi është polic edhe është roje pyllit këto nuk janë të vërteta”, ka thënë Idrizi.
Ai ishte shprehur se këtë ia kanë bërë armiqtë e tij, Enver Axhami dhe Habib Koka, duke shtuar se kanë qenë në bela me ta për tokë. Ndërsa, gjatë largimit të tij nga salla ai ishte shprehur i revoltuar.
“Këta janë shkaktar edhe unë jam sot këtu për qata kom ardhë qetu… Dje menjëherë ma kishin shkru tradhtar i kombit, marre duhet me iu ardhë, tradhtar i kombit a din kujna i thojnë , me kanë bo rezil me kanë bo, këta ma kanë pru punën me ardhë qetu, dikush duhet me pagu jetën teme…”, tha Idrizi.
Në sallën e gjyqit Idrizi foli edhe për vjedhje lopësh.
“Muzatin, kjo krejt Kaçaniku e dinë, Sulë Agjami me Isen Agjamin, ai është polic një ma i vogli, vllau i Sulës, në Prishtinë, ish polic Nijazbi, këta i kanë vjedhë lopët në Komunë të Kaçanikut, hupshin lopët pa shenjë edhe mu ma kanë vjedhë muzatin, një lopë, kurrë në Polici nuk e kam lajmëruar”, tha Idrizi.

















































