Në Deçan vazhdon tradita e bletarisë, por edhe asaj organike
Në Deçan po vazhdon tradita e kultivimit të bletarisë. Madje njëri nga ta është i licencuar për bletari organike.
Metat Gjikokaj është njëri ndër bletarët deçanas që traditën e bletarisë po e vazhdon me mjaft sukses. Për më tepër, Metati është bletari i vetëm në Kosovë, i cili tani e 6 vjet është licencuar për bletari organike.
Sivjet është viti i gjashtë që Metati bletoren e tij e ka vendosur në thellësi të Grykës së Deçanit, vend i cili, sipas ekspertëve, i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e bletarisë organike.
“Po nuk e deshe bletarinë nuk mund ta zhvillosh. Dashuria ndaj bletës ndoshta më ka nxit që të marrë këtë veprim sepse bletaria organike nuk është që është edhe aq fitimprurëse por është më e mira për bletën ku prej natyre të gjitha nënproduktet janë organike janë bio, atëherë është njëfarë kënaqësie me punua me to”, tha ai për RTK-në.
Certifikimi i bletarit Gjikokaj është shumë i mirëseardhur për Deçanin, thonë bletarët dhe ekspertët e bletarisë.
“I vetmi i tillë në bletarinë e Kosovës që certifikohet nga 'Bioinspekta' për prodhimin e mjaltit organik, një produkt që ka vlerë të madhe, ka çmime të mëdha dhe ka treg të madh në gjithë Evropën edhe në vet Kosovë. Kjo parcelë këtu në kilometrin e gjashtë afër fshatit Belle i plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet për ushqim për ushqim organik dhe prodhimet e saj të dalin organike”, tha Bajram Çeku, ekspert i bletarisë.
E bletarët e tjerë deçanas, Metatin po e shohin model për kultivimin e bletarisë organike
“Shpresojmë që në ardhmen edhe ne do të mund të arrijmë e të shkojmë hapave të Metatit, secili të punojmë për të mirën e njeriut e posaçërisht edhe për bletën”, tha Sylë Cacaj, bletar.
Sipas zyrtarëve komunalë, në komunën e Deçanit janë të evidentuar rreth 300 bletarë të cilët kanë në pronësi mbi 7000 shoqëri bletësh.






























