Në 2012, statusi i vendit kandidat

Në fjalën e tij, Presidenti veçoi nevojën që Shqipëria të mos vonohet asnjë çast në procesin e demokratizimit të saj.
“Viti 2012, të dashur shqiptarë, është viti më i bukur historik. 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë na bën sa krenarë, aq edhe përgjegjës përpara njëri-tjetrit. Urimi im për vitin jubilar të Pavarësisë sonë është një reflektim i thellë për të gjitha detyrimet që duhet të përmbushim për të ndërtuar, ashtu siç e meritojmë, një Shqipëri të fortë, demokratike dhe të drejtë. Viti 2012 është viti i përgjegjësive të mëdha. Ashtu si edhe unë, të gjithë shqiptarët urojnë sot që shoqëria shqiptare të shndërrohet në një shoqëri që udhëhiqet nga vlerat dhe virtytet, në një mjedis ku qytetari ta ndiejë veten të lirë dhe të barabartë, në një hapësirë ku demokracia dhe ligji të kenë peshën dhe rëndësinë që kërkon koha dhe e ardhmja! Në vitin 2012, gjithë shqiptarët urojnë, ashtu si edhe unë, që të gjitha arritjet e deritanishme në procesin e afrimit me Evropën e Bashkuar të na nxisin të përballojmë së bashku sfidën dhe detyrimin madhor për të fituar statusin e vendit kandidat dhe përcaktimin e hapave të mëtejshme të anëtarësimit”, thuhet në komunikatën zyrtare të Topit. /Telegrafi/

















































