Nga: Douglas Murray / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndoshta kemi harruar se si është kur politikanët veprojnë sipas premtimeve të veta.


Ndoshta edhe armiqtë tanë e kanë harruar këtë.

Për dekada me radhë, presidentët amerikanë - demokratë dhe republikanë - kanë thënë se diktatura teokratike në Iran nuk mund të ketë armë bërthamore.

Për dekada, po këto administrata janë mashtruar nga ajatollahët.

Negociatorët amerikanë - si dhe homologët e tyre evropianë - kanë kaluar vite të tëra në negociata.

Dhe, çdo herë, qeveria revolucionare në Iran është afruar më shumë drejt bombës.

Por, jo këtë herë.

Siç e përshkroi i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, në një intervistë për Fox News këtë javë, edhe gjatë negociatave të muajit të kaluar, iranianët po luanin lojërat e tyre të vjetra.

Delegacioni iranian u ul përballë Witkoffit dhe Jared Kushnerit dhe u mburr me sasinë e uraniumit të pasuruar që kishin.

Delegacioni iranian donte që Amerika ta dinte se ata kishin kapacitetin për të prodhuar të paktën 11 bomba bërthamore brenda pak ditësh.

Ndoshta iranianët ishin mësuar me qeveri të huaja të dobëta dhe joefektive.

Ndoshta ata menduan se kjo administratë ishte si të gjitha paraardhëset e saj.

Ndoshta ata paramenduan se kjo administratë në Uashington ishte si të gjitha ato qeveri në Paris dhe Londër që thoshin se ishin kundër asaj që fanatikët e çmendur të kishin armë bërthamore, por që kurrë nuk kishin ndërmend të bënin diçka për këtë - përveçse të uleshin rreth një tavoline tjetër konferencash në Gjenevë.

Mësime të nxjerra

Tani, regjimi në Iran më në fund ka mësuar një mësim.

Siç tha një editorial i gazetës “The Post” fundjavën e kaluar, kritikët e Trumpit pëlqenin ta tallnin atë me akronimin “TACO” [Trump Always Chickens Out - Trump gjithmonë zbythet nga frika]. Por, tani ata dhe ajatollahët në Iran kanë mësuar kuptimin e një akronimi tjetër: FAFO (Fool Around, Find Out - Kush e lyp, e gjen].

Sa kohë mendonte regjimi në Iran - dhe apologjetët e tij në Perëndim - se do t’ia dilnin të shpëtonin duke përdorur të njëjtin skenar justifikimesh dhe gënjeshtrash?

Për dekada me radhë ata kanë pretenduar se një nga vendet më të pasura në botë me naftë kishte nevojë për energji bërthamore vetëm për qëllime civile të energjisë.

Ata pretendonin se regjimi nuk po pasuronte uranium në nivele për armë bërthamore.

Pastaj, deri në javët e fundit ata patën paturpësinë t’u thoshin homologëve të tyre amerikanë se regjimi në të vërtetë kishte rezerva të mëdha uraniumi të gatshme për të prodhuar armë bërthamore - dhe, se kjo ishte e drejta e tyre.

Ata kishin një zgjedhje.

Por, ajatollahët vendosën ta mësonin mësimin në mënyrën më të vështirë.

Deri tani, sulmet e udhëhequra nga ShBA-ja kundër regjimit dhe infrastrukturës së tij kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme.

Në goditjet e para gjatë fundjavës së kaluar, vetë ajatollahu u eliminua, së bashku me një pjesë të madhe të udhëheqjes së tij të lartë.

Në ditët që pasuan, më shumë se dy mijë objektiva kryesore janë goditur në Iran.

Natyrisht, udhëheqja e mbetur ushtarake dhe politike në Iran është përpjekur të kundërpërgjigjet.

Por, këtë e kanë bërë në mënyrat më vetëshkatërruese të mundshme.

Ata kanë sulmuar bazat ushtarake amerikane.

Dhe, kanë sulmuar pothuajse çdo vend tjetër në rajon.

Natyrisht, kanë lëshuar raketa drejt Izraelit - “Satani i Vogël” përkrah “Satanit të Madh” që është Amerika, sipas fjalëve të ajatollahut të ndjerë.

Por, ata kanë lëshuar gjithashtu raketa dhe dronë edhe ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Arabisë Saudite, Omanit, Bahrejnit, Jordanisë, Irakut, Azerbajxhanit dhe madje edhe ndaj Qipros, anëtare e Bashkimit Evropian.

Shumë prej këtyre sulmeve janë parashikuar.

Shumë nga raketat dhe dronët që ka lëshuar regjimi iranian, tashmë i çorientuar, janë rrëzuar.

Të thuash se regjimi radikal dhe terrorist në Iran tani është i dobët dhe i izoluar, do të ishte një nënvlerësim i madh i situatës.

Regjim në “panik”

Luftëtarët kurdë në Irak dhe Iran duket se po përgatiten për një luftë tokësore kundër regjimit në Teheran.

Unë kam qenë më parë me këto grupe dhe ato përfshijnë disa luftëtarë shumë të fortë.

Regjimi i mbetur në Iran do të kishte arsye të ishte në panik.

Misioni i qeverisë në Uashington tani është të çojë deri në fund një premtim të cilin qeveritë e mëparshme amerikane nuk arritën ta përmbushnin.

Kjo administratë tha se do të parandalonte që ajatollahët të siguronin bombën bërthamore.

Dhe, tani po bëjnë gjithçka që munden për ta arritur këtë.

Jo vetëm duke u siguruar që armët më vdekjeprurëse në botë të mos bien në duart e regjimit më të rrezikshëm në botë.

Por, edhe që të çmendurit që kanë sunduar Iranin që nga viti 1979 të mos jenë aty për t’i përdorur ato.

Natyrisht, ka shumë shqetësime të ligjshme që disa amerikanë mund të kenë.

Ata mund të kenë frikë se Amerika do të tërhiqet në një konflikt afatgjatë.

Por, Trumpi dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio - ndër shumë të tjerë - e kanë bërë shumë të qartë se kjo do të jetë një luftë e shkurtër dhe e kufizuar.

Për më tepër, administrata Trump e ka bërë të qartë se e ardhmja e Iranit është në duart e popullit iranian.

Nëse ai popull - i cili është shtypur nga fanatikët radikalë që nga viti 1979 - arrin ta rimarrë vendin e vet, atëherë mund të ketë një të ardhme të jashtëzakonshme.

Ashtu si edhe i gjithë rajoni dhe bota më gjerë.

Paramendoni ndryshimin nëse sponsori kryesor i terrorizmit në botë nuk do të ekzistonte më?

Paramendoni ndryshimin në Amerikë nëse skuadrat e vdekjes nuk do të dërgoheshin nga Teherani për të tentuar vrasjen e presidentëve amerikanë, ish-zyrtarëve të qeverisë amerikane dhe të tjerëve?

Paramendoni si do të mund të ishte e ardhmja e popullit iranian nëse, në vend që të shtypen ose të detyrohen të jetojnë në mërgim, njerëzit e atij vendi të mund të vendosnin vetë për fatin e tyre?

Princi i kurorës së Iranit, që është në mërgim, e ka bërë të qartë se është i gatshëm të mbikëqyrë një qeveri të përkohshme koalicioni.

Një qeveri që mund të bashkojë fraksionet e ndryshme.

Kritikët e familjes mbretërore iraniane thonë se nuk duan një monarki të trashëgueshme.

Por, personi që po përgatitet të zëvendësojë ajatollahun tashmë të ndjerë Khamenei, është djali i vetë ajatollahut.

Ja pra kundërshtimi ndaj sundimit të trashëguar!

Amerika mund të ndihmojë në drejtimin e një pjese të këtij tranzicioni.

Por, nuk ka nevojë të përfshihet thellë në të.

Për momentin, mund të jemi krenarë për pilotët heroikë amerikanë ndërsa ata po përmbushin një premtim të mbajtur prej kohësh.

Një premtim që Amerika ia bëri botës.

Dhe, një kujtesë për atë botë se kur Amerika e jep një premtim, ajo e mban atë. /Telegrafi/