Ndotja e ajrit rritet në disa zona të Kosovës, ekspertët dhe mjekët ngrenë alarmin

Cilësia e ajrit në disa zona të Kosovës është përkeqësuar ditët e fundit, duke ngritur shqetësime edhe për shëndetin e qytetarëve. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, rritja e ndotësve lidhet me uljen e temperaturave, nevojën për ngrohje dhe kushtet atmosferike të pafavorshme, si mjegulla e dendur dhe mungesa e erërave.
Ekspertët e cilësisë së ajrit vlerësojnë se këto kushte favorizojnë grumbullimin e ndotësve në shtresat e ulëta të atmosferës, ndërsa mjekët pulmologë paralajmërojnë për rritje të rrezikut të problemeve respiratore, veçanërisht te grupet e ndjeshme.
Ndotja e ajrit mbetet një çështje e rëndësishme mjedisore dhe shëndetësore në vend. Të dhënat e fundit tregojnë se në disa zona niveli i ndotësve në ajër shpesh i kalon vlerat e rekomanduara, duke ndikuar në cilësinë e jetesës së qytetarëve.
Eksperti i cilësisë së ajrit, Shkumbin Shala, thotë se burimet kryesore të ndotjes janë trafiku i dendur, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje dhe aktivitetet industriale.
“Gjatë muajve të ftohtë, ndotja rritet ndjeshëm për shkak të djegies së druve dhe naftës. Kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit që thithim çdo ditë”, tha Shala.
Ndërkohë, mjekët paralajmërojnë për pasojat serioze në shëndet, pulmologët shtojnë se ndotja e ajrit është një faktor i rëndësishëm në shtimin e sëmundjeve të frymëmarrjes.
“Pacientët me astmë, bronkit kronik dhe sëmundje të mushkërive janë më të rrezikuarit, por edhe personat e shëndetshëm mund të preken nga ekspozimi i vazhdueshëm”, tha Flamur Marku, pulmolog.
Ekspertët bëjnë thirrje për masa urgjente, si reduktimi i trafikut, përdorimi i energjive më të pastra dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve.
Ndërkaq, sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës gjatë ditëve të fundit janë regjistruar vlera të rritura të ndotësve në ajër në disa zona të vendit.
Përkeqësimi i cilësisë së ajrit, sipas IHMK-së, është ndikuar edhe nga prania e mjegullës së dendur, lagështia e lartë e ajrit, mungesa e erërave dhe fenomeni i inversionit termik, të cilat krijojnë kushte për grumbullimin e ndotësve në shtresat e ulëta të atmosferës.
Rekomandohet që personat e ndjeshëm të kufizojnë ekspozimin e zgjatur në ambient të jashtëm deri në përmirësimin e kushteve./RTK







































