Ndodh edhe kjo - bllokojnë dy shiritat e rrugës për shkak të ahengut familjar, Policia i gjobit organizatorët në Prizren

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjobitur organizatorët e një ahengu familjar në Prizren, pasi kanë bllokuar dy shiritat e qarkullimit në rrugë.
Rasti ka ndodhur të enjten në Prizren.
“Më datën 06.08.2025, rreth orës 16:40, Policia e Kosovës ka pranuar ankesë nga qytetarët për bllokim të rrugës ‘Alush Kryeziu’ në të dy shiritat e qarkullimit, nga organizatorët e një gazmendi familjar. Njësiti patrullues I Stacionit Policor të Prizrenit ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar personin përgjegjës, i cili ka prezantuar një leje komunale për përdorim të njërës korsi nga ora 09:30 deri 10:30. Megjithatë, rruga ishte bllokuar në tërësi dhe jashtë afatit të lejuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia tutje ka bërë të ditur se ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 euro sipas legjislacionit në fuqi dhe ka liruar rrugën për qarkullim normal të automjeteve. /Telegrafi/





















































