Një pjesë e konsiderueshme e informacionit që konsumojnë qytetarët e Kosovës prodhohet nga media që nuk e zbulojnë origjinën e financimit të tyre, ndërsa verifikimi i burimeve të të ardhurave është pothuajse i pamundur.

Përtej faktit që Kosova shihet si shënjestër e propagandës ruse, vendi është gjithashtu i ekspozuar ndaj ndikimit ekonomik të Kinës, edhe pse të dy shtetet nuk kanë marrëdhënie diplomatike.


Të dhënat e ofruara për BIRN nga Dogana e Kosovës tregojnë se 13 për qind e të gjitha importeve në Kosovë në vitin 2025 kanë ardhur nga Kina. Në terma praktikë, çdo i shtati produkt që hyn në vend ka origjinë nga atje.

Në vitin 2025, importet nga Kina tejkaluan 919 milionë euro, nga gjithsej 7 miliardë euro importe, një rritje prej 9.4 për qind krahasuar me vitin 2024, kur importet nga Kina ishin 840 milionë euro nga 6.4 miliardë euro importe totale.

Trendi i importeve nga Kina tregon rritje të qëndrueshme ndër vite: në vitin 2020 ishin 617 milionë euro importe, ndërsa në vitin 2023 arritën në 788 milionë euro.

Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës për nga importet. Telefonat mobilë, pajisjet industriale, panelet solare, mobiliet, plastika, lodrat dhe pjesët e veturave dominojnë tregun vendas.

Profili i importeve është kryesisht industrial, teknologjik dhe i lidhur me ndërtimin.

Një raport i publikuar më 12 janar 2026 nga Instituti GAP, thekson se në vitin 2025 partneri më i madh i importit për Kosovën ishte Gjermania, me mallra në vlerë 1 miliard euro. Turqia u rendit e dyta me 929 milionë euro, e ndjekur nga afër nga Kina me rreth 920 milionë euro.

Raporti po ashtu vë në dukje se Kina ka qenë vazhdimisht ndër eksportuesit kryesorë në Kosovë në vitet 2024, 2023 dhe 2022.

Ndërsa mallrat regjistrohen saktë në doganë, një dimension tjetër i pranisë së Kinës mbetet i padukshëm: marketingu dhe përmbajtja mediatike që mund të financohen indirekt përmes zinxhirit tregtar.

Paratë e reklamave: dimensioni i padukshëm

Në ekonomi, aty ku ka treg, ka edhe promovim. Por sa nga ky promovim është transparent dhe sa përzihet me përmbajtjen editoriale? Kjo mbetet një enigme madhore.

“Askush në Kosovë nuk ka të dhëna se sa bizneset që importojnë nga Kina reklamojnë në mediat tona. Nëse Kina është eksportuese kaq e madhe për Kosovën, logjikisht duhet të investojë edhe në promovimin e produkteve të saj,” tha Kreshnik Gashi, kryeredaktor i Kallxo.com, gjatë paraqitjes në emisionin “Kallxo Përnime”.

Investimet ruse dhe kineze në rajon janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, dhe investimi ekonomik shpesh shoqërohet me ndikim mediatik.

Në shkurt 2026, profili në Facebook “Fushe Kosova press”, me rreth 20 mijë ndjekës, publikoi një video me përshkrimin: “Shikoni si duken veturat inteligjente në Kinë.” Videoja tregonte persona që mbyllnin dyert e makinave vetëm duke bërë me dorë. Megjithatë, qëllimi kryesor i kësaj faqeje, siç dëshmohet nga emri, është informimi për lajme lokale nga komuna.

Më 24 korrik 2025, “Autoportali” publikoi një artikull me titull: “Veturat elektrike janë mjetet më të shitura në Kinë: Cili është ‘receta’ e suksesit të tyre?” Në artikull jepeshin statistika mbi shitjen dhe blerjen e veturave elektrike në Kinë.

Ndërkohë, në një grup të mbyllur në Facebook, “Grupi i miqësisë Shqipëri–Kinë”, më 16 shtator 2023 u publikua një analizë me titull “Veturat kineze po ndryshojnë historinë”. Videoja u ripublikua nga Radio Ejani.

Të dhënat e disponueshme tregojnë se në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor, pagat, pajisjet, studiot televizive dhe shpenzime të tjera operative për disa media financohen nga burime që nuk bëhen publike.

Në një deklaratë për BIRN, Imer Mushkolaj, drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, theksoi se “Anëtarët e Këshillit janë të obliguar të jenë transparentë për çdo përmbajtje të sponsorizuar, pra reklamë komerciale, nga kushdo dhe nga kudo.”

Ai shtoi se kjo çështje rregullohet nga Kodi i Etikës i Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili përcakton: “Reklamat komerciale dhe politike, si dhe materialet e sponsorizuara, përfshirë artikujt dhe shtojcat, duhet të dallohen qartë nga përmbajtja editoriale dhe të identifikohen si të tilla.”

“Në materialet e sponsorizuara, burimi i sponsorizimit duhet të tregohet qartë,” shtoi Mushkolaj.

“Raportet për financimin e mediave përmajnë të dhëna jo të plota,” deklaroi Niman Racaj, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Sipas tij, financimi i deklaruar zakonisht hyn në kategoritë: komunikime komerciale audiovizive, donacione dhe financim publik (si në rastin e Radio Televizionit të Kosovës).

Megjithatë, rregullatori verifikon vetëm ekzistencën e fondeve në llogari bankare, jo origjinën e tyre. “Pa qëndrueshmëri financiare, nuk ka pavarësi editoriale,” theksoi Racaj.

Kosova ka televizione publike dhe private, dhjetëra operatorë kabllorë dhe qindra portale online. Megjithatë, tregu total i reklamave vlerësohet rreth 15 milionë euro në vit — “shumë i vogël për të financuar në mënyrë të qëndrueshme gjithë peizazhin mediatik,” tha Jeton Mehmeti, ish-kryetar i bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Ndërkohë, Gashi theksoi: “Nëse inteligjenca financiare ende nuk ka identifikuar ndonjë para të dyshimtë kineze që hyn në mediat e Kosovës për të ritransmetuar narrativën e tyre si lajm, kjo për mua është problem.”

Ritransmetimi i përmbajtjes

Në Shqipëri, Radio Ejani, me 1.1 milion ndjekës në faqen e saj zyrtare në Facebook, operon si media shtetërore kineze që prodhon përmbajtje në shqip. Nuk ka transparencë mbi financimin e saj apo mënyrën se si kjo përmbajtje mund të shpërndahet në media të tjera që e ritransmetojnë.

Shumica e përmbajtjes së kësaj media paraqet një Kinë të zhvilluar ekonomikisht, marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe përmbajtje që, sipas ekspertëve, mund të etiketohet si “dezinformim i butë”, që përpiqet ta profilizojë Kinën si alternativë më të mirë sesa BE-ja.

Raporti i BIRN “Vorbulla e rrenave”, i publikuar në vitin 2023, gjeti se materialet e publikuara nga Radio Ejani ishin shpërndarë dhe ritransmetuar edhe në Kosovë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky ritransmetim paguhet apo bazohet thjesht në marrëveshje joformale të shpërndarjes së përmbajtjes.

BIRN u përpoq të marrë një deklaratë nga Radio Ejani përmes telefonit dhe emailit, por nuk mori përgjigje.

Bazuar në monitorimin e postimeve në faqen e Radio Ejani, përmbajtja e tyre është kryesisht lajme pozitive për Kinën dhe ekonominë e saj, ndërsa në disa raste raportojnë edhe për incidente kriminale në vende të tjera, siç u theksua edhe në raportin “Vorbulla e rrenave”.

Më 26 shkurt 2026, Radio Ejani publikoi një artikull me titull: “9 miliardë juanë të ardhura! Filmat kinezë shënojnë shitje rekord biletash në mbarë botën.”

Po atë ditë, u publikua një tjetër lajm me titull: “Bizneset gjermane i kushtojnë rëndësi të madhe tregut kinez dhe shpresojnë të thellojnë më tej bashkëpunimin me Kinën për përfitime të ndërsjella dhe zhvillim të përbashkët.”

Ndërkohë, në një postim të dhjetorit 2025, u dha një vlerësim i veçantë për një të ri nga Shqipëria, Ergys Turja, i cili jeton në Shenzhen dhe gjeti “punë dhe drejtim të ri në jetë.”

Radio Ejani ka edhe programe të dedikuara për ekonominë, përfshirë “Realitetet Ekonomike”, ku ftohen mysafirë për diskutime. Një tjetër program, “Larg por Afër”, thekson afërsinë mes Kinës dhe Shqipërisë përmes historive të ndryshme.

Sa i përket parave të reklamave, eksperti i sigurisë kibernetike Benjamin Kolenoviq shpjegon se autoritetet mund të gjurmojnë vetëm transaksionet bankare brenda territorit të Kosovës. Nëse llogaritë bankare janë të regjistruara jashtë vendit, institucionet nuk kanë qasje.

“Çdo gjë që ndodh jashtë Kosovës, përmes llogarive bankare të regjistruara jashtë, është e paarritshme për shtetin. Në kushte normale, asnjë rrjet social nuk ofron qasje API për qeveritë, me përjashtim të qeverive të mëdha si Shtetet e Bashkuara apo Kina (në rastin e TikTok),” tha Kolenovic.

“Kam hasur portale kineze që targetojnë specifikisht Kosovën,” shtoi ai.

Kolenovic theksoi se disa media regjistrohen jashtë vendit për të përfituar nga monetizimi.

“Nëse i shikoni mediat lokale, shumica e tyre e listojnë lokacionin kryesor si Zvicra, Gjermania e kështu me radhë, sepse atje lejohet monetizimi. Në Kosovë kemi problem me monetizimin në Meta Platforms. Mjafton një ‘makinë virtuale’ për të hyrë në atë kompjuter tjetër dhe puna kryhet praktikisht atje.”

Kjo e bën edhe më të vështirë gjurmimin e burimit real të të ardhurave.

Një artikull që thekson suksesin e teknologjisë kineze, investimet globale apo “modelin e zhvillimit” të Kinës mund të duket si raportim standard, por pa transparencë mbi financimin apo motivet komerciale.

Zyrtarisht, investimet direkte kineze në Kosovë mbeten të ulëta. Megjithatë, ndikimi ekonomik përmes tregtisë është i konsiderueshëm dhe në rritje të vazhdueshme.

Në këtë situatë, Kosova përballet me një paradoks: ndikimi ekonomik i Kinës është i madh, i matshëm dhe në rritje, ndërsa ndikimi i mundshëm mediatik mbetet i padokumentuar dhe i pamatur.

Ky artikull fillimisht është publikuar në gazetën Prishtina Insight