Ndeshja e kthimit e fazës eliminatore të Allsvenskan mes Orgryte IS dhe IFK Norrkoping u shoqërua me kaos dhe trazira serioze nga tifozët.

Përballja, e cila zhvillohej në stadiumin e Orgryte, u ndërpre disa herë për shkak të incidenteve, duke e bërë ndeshjen jashtëzakonisht të tensionuar.


Orgryte hyri në këtë ndeshje me avantazhin e një fitoreje 3-0 nga ndeshja e parë, dhe megjithëse nuk u shënuan gola në ndeshjen e kthimit, ngjarjet në tribuna e bënë këtë përballje shumë dramatike.


Ndeshja u ndërpre për herë të parë në pjesën e parë, pasi tifozët e Orgryte rrëzuan një gardh pranë tribunës së mysafirëve. Pak më vonë, loja u ndërpre sërish për shkak të një shpërthimi të madh brenda stadiumit, dhe lojtarët u dërguan në dhomat e zhveshjes për sigurinë e tyre.

Fillimi i pjesës së dytë u shty pasi një spektator u sëmur në tribuna dhe u dërgua në spital për kujdes të mëtejshëm. Më vonë, gjatë pjesës së dytë, një numër i madh fishekzjarrësh u hodhën në fushë, duke përfshirë edhe barin artificial me flakë.

Stafi i sigurisë intervenoi menjëherë për të shuar zjarrin, ndërsa lojtarët u larguan sërish nga fusha.


Pas një pushimi të gjatë dhe një takimi të drejtuesve për të vendosur mbi vazhdimin e ndeshjes, loja rifilloi, por u ndërpre sërish pas disa minutash për shkak të hedhjes së objekteve në fushë.

Përfundimisht, u vendos që tribuna vendase të zbrazet nga spektatorët para se loja të rifillonte plotësisht.

Pas më shumë se katër orë e gjysmë, ndeshja përfundoi pa gola, duke bërë që IFK Norrköping të bie nga kategoria, ndërsa Orgryte të siguronte ngjitjen në nivelin e lartë të Allsvenskan. /Telegrafi/

telegrafi sport app