Kosova është goditur sot nga dy ngjarje të rënda që ndodhën në vendet e punës, ku kanë humbur jetën tre persona.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndërruar jetë Avdyl Osmanaj, rreth 64 vjeç, nga fshati Gurrakoc i Istogut.


Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra më 24 qershor, kur kishte rënë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim në fshatin Zallq të komunës së Istogut, gjatë punës në skelë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksidenti kishte ndodhur rreth orës 17:25, ndërsa lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur zëdhënësi rajonal i Policisë në Pejë, Fadil Gashi.

Një tjetër aksident i rëndë ndodhi sot në Gjakovë, ku dy punëtorë humbën jetën në vendin e tyre të punës.

Ata kanë rënë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim, duke pësuar lëndime fatale.

Rrethanat e këtyre ngjarjeve tragjike janë ende duke u hetuar nga autoritetet, ndërkohë që ngrihen sërish shqetësimet për sigurinë në vendin e punës në sektorin e ndërtimit në Kosovë.