Nderohet figura e veprimtarit Ekrem Jashari: Emri tij skaliti gjurmë në çlirimin e Kosovës

Figura e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ekrem Jashari është nderuar sot në një mbledhje komemorative në Ferizaj. Pas një sëmundjeje të rëndë, të dielën në Gjenevë të Zvicrës ka ndërruar jetë Ekrem Jashari në moshën 74-vjeçare.
Në këtë mbledhje komemorative për të nderuar jetën e veprën e tij, u tha se emri i tij skaliti gjurmët në historinë e çlirimit të Kosovës. Veprimtari, Ekrem Jashari u konsiderua një shtyllë e fortë e çështjes kombëtare.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se brezat e ardhshëm, në kronika të historisë do të gjejnë emrin e tij, sakrificën e guximin që mëshiroi Jashari.
“Ai ishte emri që skaliti gjurmët në historinë tonë të çlirimit, Ekrem Jashari ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, themelues, organizator i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj e më gjerë... Kudo ku ishte emblema jonë e lirisë, UÇK-së ishte edhe baca Ekrem, guximtarë si përherë i palodhur edhe nga vitet e moshës peshonte gjithnjë fjala e tij. Ferizaj është krenar për bashkëluftëtarin e rrallë që patëm mes nesh, për emrin që lavdisë sonë të lirisë ia ndërtoi themelet, për shpirtin e tij që gjithmonë rrahu për Kosovën Shqipërinë e bashkimin e kombit... Brezat e sotëm, e ato që do të vinë pas nesh, në kronika të historisë në faqe të lirisë do të gjejnë emrin e tij, sakrificën e guximin që mëshiron vet ai”, tha Aliu.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Ferizaj, Afrim Mehmeti tha se Jashari bashkë me shokët e tij themeloi celulat e para të UÇK-së në Ferizaj.
“Me ndarjen nga jeta të bacës Ekrem jo vetëm Ferizaj, por i gjithë populli jonë humbi një nga shtyllat më të forta të veprimtarisë kombëtare. Një njeri që shumë herët në kushte të rënda mori mbi supe barrën e madhe të organizimit dhe përgatitjes për çlirim. Në vitin 1993 kur fjala çlirim shqiptohej me frikë dhe rruga drejt lirisë dukej e largët baca Ekrem ishte ndër të parët që ngrit kokën në koordinim me shokët mori hapat dhe themeloi celulat e para të UÇK-së në Ferizaj. Ishte guximi dhe përkushtimi i tij që ndezën dritën e në fund të tunelit të errët të okupimit serb. Ai nuk ishte vetëm organizator ishte frymëzim”, tha ai.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se Ekrem Jashari mbetet pjesë e themelimit të shtetit të Kosovës duke lënë gjurmë në historinë më të re shqiptare.
“Ekrem Jashari ishte mësues idealist, i kalitur për luftëtarë në misionin e tij kombëtar. Misioni i mësuesit idealist ishte të hap rrugë të pahapura, dhe ato i bëri, rekrutonte gjenerata, frymëzonte gjenerata deri në formimin e UÇK-së. Veprimtaria e bacit Ekrem nuk ka qenë e kufizuar mbi gjeografinë të lokalitetit ku ai punoi por veprimtaria e tij ishte në gjithë gjeografinë shqiptare. Ai la gjurmë në historinë më të re shqiptare ai është pjesë e ndërtimit e themelimit të shtetit të Kosovës, ai është pjesë e kontributeve e punës së tij për shqiptarët shtet formues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kufijtë për Ekrem Jasharin ishin të paekzistueshëm, andaj vëllezër dhe motra ju familja e bacit Ekrem keni humbur të afërmin, ne kemi humbur veprimtarinë dhe bashkëluftëtarin gjurmë madhin Ekrem Jasharin”, tha ai.
E mbesa e tij, Shqipe Jashari u shpreh se Jashari kishte një merak para se të vdiste, ta shihte Shqipërinë e bashkuar.
“Gjatë gjithë jetës së tij, punoi dhe veproi për çlirimin e atdheut, por ai shkoi me një merak, që të shoh Shqipërinë e bashkuar, Shqipërinë natyrale, u realizoftë ëndrra jote bacë çoftë i lehtë dheu i Kosovës”, u shpreh ajo.
Gjithashtu, në ambientet e Galerisë së Arteve në Ferizaj janë mbajtur edhe homazhe në nderim të veprimtarit të çështjes kombëtare, Ekrem Jashari, i cili ndërroi jetë ditë më parë në moshën 74-vjeçare. Ceremonia e varrimit bëhet në orën 17:00 në Varrezat e Veteranëve të qytetit në Ferizaj


















































