Ndërhyrje urgjente në Petrovë, zhbllokohet kanalizimi në objektin e banimit social

Pas raportimeve për bllokimin e kanalizimit në njërën nga ndërtesat e banimit social në Petrovë, autoritetet komunale kanë reaguar me intervenim të menjëhershëm.
Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, mëngjesin e sotëm Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me KRU “Hidroregjioni Jugor”, ka kryer punimet për zhbllokimin e kanalizimit, pasi ujërat e zeza kishin mbushur bodrumet e objektit.
Ky reagim erdhi pas zotimit të drejtorit të kësaj Drejtorie, Bashkim Rakaj, i cili premtoi ndërhyrje të shpejtë menjëherë pas adresimit të shqetësimeve nga banorët dhe mediat lokale.
Komuna ka theksuar se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të parandaluar dëme të mëtejshme dhe për të garantuar kushte më të sigurta jetese për banorët. /Telegrafi/

















































