Matteo Politano dhe Lorenzo Lucca shënuan për Napolin në fitoren 2-1 ndaj Olympiacosit, në një miqësore që solli jo pak tension për kampionët e Italisë, me një shpërthim nervash të Antonio Contes, i cili ndërpreu ndeshjen për disa momente, pasi u lëndua Amir Rrahmani.

Trajneri italian testoi një formacion të ri 4-4-1-1, duke e vendosur Kevin De Bruyne si trekuartist pas Romelu Lukakut, duke e zhvendosur Scott McTominay në të majtë.


Megjithatë, situata u tensionua pak para fundit të pjesës së parë, kur Lukaku la fushën duke mbajtur kofshën e majtë dhe tashmë rrezikon ndeshjen hapëse të Serie A kundër Sassuolos më 23 gusht.

Por momenti më i nxehtë erdhi pak më vonë, kur Ayoub El Kaabi ndërhyri ashpër nga pas ndaj Amir Rrahmanit.

Conte shpërtheu menjëherë, duke ulëritur nga pankina dhe kërkuar llogari, ndërsa Rrahmani reagoi në fushë duke u përballur me sulmuesin maroken dhe gjyqtarin.

Një fitore për statistikë, por me mjaft nerva për Napolin dhe sidomos për Conten, që pa ekipin e tij të mbyllte miqësoren mes shqetësimeve dhe tensioneve. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app