Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi, vlerësoi lojën e skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Sheriff Tiraspolit, por theksoi se mungesa e fatit ishte faktor kyç që nuk lejuan kalimin tutje në garë.

Prishtina fitoi 2-1 në ndeshjen e kthimit, por kjo nuk mjaftoi për të kompensuar humbjen e thellë 4-0 në ndeshjen e parë. Tani, skuadra kryeqytetase do të vazhdojë aventurën evropiane në Ligën e Konferencës kundër ekipit Larne.


“Nëse lojtarët tanë përsërisin lojën e sotme, jam i sigurt që do të kalojmë tutje në Ligën e Konferencës. Në futboll ka shumë rëndësi fati. Nuk e patëm fatin as sonte as në ndeshjen e kaluar".

"I përgëzoj lojtarët për qasjen në ndeshje, karakterin dhe disiplinën taktike. Është shumë me rëndësi të mbajmë këtë ritëm, këtë intensitet. Si skuadër duhet të kalojmë të paktën kundërshtarin e parë në Ligën e Konferencë”, ka thënë ai.

Trajneri i Prishtinës e shikon sfidën ndaj Larnes si një mundësi të re për të kaluar tutje në garat evropiane. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app