Mustafa: LDK, parti që ndërton histori

Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur impresionet nga dy tubimet në shënimin e 27-vjetorit të LDK-së në Podujevë dhe Rahovec.
Lideri i LDK-së ka përgëzuar llapjanët për tubimin masiv duke i qujatur fitimtarë, kurse duke folur për tubimin e LDK-së në Rahovec, tha se LDK nuk është parti që jeton nga historia, por parti që ndërton histori, shkruan Telegrafi.
“Podujeva shënoi sot 27 vjetorin e LDK-së. Ishte e pafund pjesëmarrja e veprimtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së. Kishin ardhur nga katër anët e Llapit për të shënuar ditën e përkushtimit të tyre, respektin për kryetarin e tyre të Degës së LDK-së dhe të Komunës, Agim Veliun. Respektin për LDK-në dhe shtetin e Kosovës. Urime juve që gjithnjë jeni fitimtarë!”, ka shkruar Mustafa për tubimin në Podujevë.
“Rahoveci me Avdullah Hotin, Kryetar të Degës së LDK-së dhe Ministër i Financave sot shpalosi 27 vjet të LDK-së. Është për tu krenuar çdo njeri, kur dëgjon për punën dhe rezultatet, për idetë e reja, për synimet afatgjata që ofrojnë vetëm punëtorët dhe vizionarët. Dhe të tillë kishte dhe ka sot LDK-ja. LDK nuk është parti e cila jeton nga historia dhe në historinë e saj. LDK është parti që ndërton pareshtur histori, parti e cila rritet, përtërihet dhe zhvillohet për të përballuar sfidat, për të zhvilluar Kosovën Demokratike”, shkruan Mustafa. /Telegrafi/




















































