Musliu: MTS e Serbisë ka punësuar njërin nga autorët e sulmit terrorist në Banjskë
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar ashpër ndaj kompanisë serbe të telekomunikimit “MTS”, duke e akuzuar se ka punësuar një nga personat kyç të përfshirë në sulmin terrorist të Banjskës.
Musliu ka bërë të ditur se pas një statusi të tij publik ku kritikonte aktivitetet e dyshimta të kësaj kompanie në Kosovë, “MTS” ka reaguar përmes portaleve ndaj atyre që e shpërndanë lajmin.
Por, sipas Musliut, reagimet e tilla nuk mund të fshehin faktet.
“Operatorit serb MTS i paska penguar statusi im për ta. I paskan reaguar portaleve që e publikuan lajmin për reagimin tim për aktivitetin e tyre të dyshimtë. Ju mund të bëni edhe padi, por faktet nuk mund t’i zhdukni për implikimin e juaj në mbështetje të grupit terrorist”, ka shkruar Musliu.
Ai shtroi një pyetje direkte për kompaninë “MTS”. “A e dinit ju se personi i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë ishte punonjësi i juaj dhe ka marrë pagë nga kompania e juaj? Pse nuk reaguat për këtë?”
Sipas Musliut, burime të tij brenda strukturave të sigurisë në Kosovë konfirmojnë se Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën “Mami”, ishte i punësuar si shofer personal i drejtorit të MTS-it, Zoran Millojeviq, dhe merrte një pagë mujore prej 1,246.26 euro.
Musliu përkujton se Radivojeviq ishte një nga figurat qendrore në organizimin e barrikadave në veri të Kosovës, i lidhur ngushtë me strukturat ilegale, Organizatën Terroriste “Mbrojtja Civile” dhe Listën Serbe. Ai akuzohet gjithashtu për futjen e armëve ilegale nga Serbia në Kosovë.
Në vitin 2021, sipas Musliut, “Mami” ka qenë pjesë e një delegacioni të udhëhequr nga Goran Rakiq dhe mbështetës të tjerë të Listës Serbe që kanë zhvilluar takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Punëtori i juaj e mbajti fjalën e dhënë Vuçiqit, bëri ‘diçka të madhe’, sulmoi Banjskën bashkë me Radoiçiqin dhe shokë të tjerë”, përfundon Musliu, duke kërkuar llogaridhënie për atë që ai e cilëson si përfshirje direkte të një kompanie të licencuar në Kosovë në mbështetje të terrorizmit./Telegrafi/






























