Nga: Sean O’Grady / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

A kishte të drejtë? Disa ditë më parë, Elon Musku u deklarua për luftën e fjalëve me Donald Trumpin, se “përfundimi më argëtues është më i mundshmi”. A merret parasysh kapitullimi?


Me siguri jo. Bota kishte një lloj ngushëllimi në përplasjen e madhe mes Trumpit dhe Muskut, dhe mezi priste zhvillime të tjera tronditëse në telenovelën e parë të rrjeteve sociale. A do të na tregonte Eloni më shumë rreth asaj se pse kishte pohuar - përpara se ta fshinte postimin - se Trumpi ndodhej në dosjet e Epsteinit? Çfarë kishte parë Musku kur shkonte në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit? A është Trumpi vërtet aq i çmendur sa duket, apo është Eloni - siç pretendon Donaldi - viktimë e sindromës së çmendurisë ndaj Trumpit?

Mbi të gjitha, a do të bllokonte Eloni qasjen në raketat dhe rrjetin e tij satelitor (ky i fundit, me sa duket, i ofron internet Shtëpisë së Bardhë), dhe a do të financonte demokratët për të “shkatërruar” kandidatët e Maga-s në zgjedhjet afatmesme të vitit të ardhshëm, siç është përfolur? Apo, a do të anulonte Donaldi kontratat fitimprurëse të qeverisë dhe a do ta dëbonte Elonin në Afrikën e Jugut ku me siguri do të pritej me ndjenja të përziera? A do të përdorte Trumpi tanket që marrin pjesë në paradën e ditëlindjes së tij për të shtypur Tesla-n e re të tij?

E gjithë kjo me siguri do të kishte qenë argëtuese, ndonëse ndoshta e rrezikshme për stabilitetin global. Me kaq shumë zhgënjime nga kjo dyshe, duket e mundshme që do të privohemi nga ajo që prisnim. Në vend të kësaj, kemi një mësim shumë ironik mbi fuqinë dhe pashmangshmërinë e bashkëpunimit - edhe mes njeriut më të pasur dhe politikanit më të fuqishëm në botë.

Rezulton se dy burra që mendojnë se nuk kanë nevojë për askënd tjetër, në fakt varen shumë nga njëri-tjetri - shumë më tepër sesa mendonin - dhe, në fund zbuluan se lufta e tyre civile po u bënte më shumë dëm sesa dobi. Frika nga shkatërrimi i ndërsjellë i sigurt ishte aq e fortë sa që nxiste për një armëpushim.

Për të qenë të drejtë me Muskun, duhet thënë se ishte Trumpi ai që filloi të zbuste tensionet ditët e fundit, duke i minimizuar kërcënimet dhe duke zbutur fyerjet; por, ishte Musku ai që rrinte përballë shkatërrimin komercial dhe u tërhoq publikisht: “Më vjen keq për disa nga postimet e mia rreth presidentit Donald Trump, javën e kaluar. Shkuan shumë larg”.

Në fund, gjeniu i teknologjisë nuk ishte i barabartë me ngacmuesin e vjetër të pasurive të paluajtshme të Nju-Jorkut. Pa kontratat qeveritare të ShBA-së dhe mbështetjen për biznesin e tij të makinave elektrike-autonome, Musku shpejt do të bëhej një figurë shumë më e zvogëluar, në mos e rrënuar. Edhe pse humbja e pasurisë në letra nuk e ka shqetësuar kurrë shumë - guximi i tij është pjesë e arsyes se pse ndodhet aty ku është sot - dëshira e tij e sinqertë, sado e çuditshme, për të kolonizuar Marsin në emër të njerëzimit, duhet të ketë qenë ambicia të cilën thjesht nuk mund ta sakrifikonte për hir të një përplasjeje me një plak të çmendur të portokalltë. Ndoshta motivimi i dytë më i madh i Muskut në jetë, lufta kundër “virusit të ndërgjegjes së zgjimit [woke]”, do të shërbehej më mirë duke e mbajtur Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.

Si do të reagojë Trumpi? Si gjithmonë, është e vështirë të parashikohet, por shenjat tregojnë se ai nuk do të rifillojë armiqësitë. Gjërat thjesht do të bien në heshtje.

Nuk do të ketë më kurrë një mëngjes të gëzueshëm dhe plot besim për këtë dyshe, përveç nëse Musku do të kryente disa akte përuljeje, në të cilin rast një pajtim do të ishte i mundshëm. Fundja, JD Vance e kishte përshkruar dikur Trumpin si “Hitleri i Amerikës”, Marco Rubio e urrente dhe e kundërshtonte shumë “mashtruesin” që fitoi Shtëpinë e Bardhë, dhe Robert Kennedy Jr e quante atë një “sociopat”.

Që të gjithë kanë hequr dorë nga ato deklarata, janë bërë lajkatarë dhe janë shpërblyer bujarisht. Mund të ndodhë që edhe Musku të ndjekë të njëjtën rrugë. Gjë që, siç parashikoi vetë ai, do të ishte një përfundim argëtues, ndonëse poshtërues. /Telegrafi/