Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokimin e të hyrave vetanake dhe rrezikimin e shërbimeve esenciale në kryeqytet.

Në një postim Murati ka thënë se Thesari e ka alokuar buxhetin e muajit dhjetor për Komunën e Prishtinës që të premten pasdite, madje para kohe me qëllim që të mund të paguheshin faturat urgjente, si ajo e energjisë elektrike.


Sipas tij, pavarësisht se buxheti ishte i gatshëm, stafi i Komunës së Prishtinës nuk i ka kryer pagesat.

“Nga Thesari më njoftuan se stafi i Komunës e kishte përfunduar orarin dhe nuk kishte kryer asnjë pagesë, me arsyetimin: ‘i kryejmë të hënën’.”, shkroi Murati.

Ministri në detyrë tha se ishte i habitur me këtë vendim, duke theksuar se sjellja e komunës nuk përputhej me urgjencën që kishte paraqitur Rama kur kërkoi alokimin e parakohshëm të buxhetit.

Sipas Muratit, arsyeja që komunës “i duhej” vonesa ishte politike.

“Në vend se të paguanin faturat, Përparim Rama dhe nënkryetarët e tij zgjodhën të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës. Po t’i paguanin faturat të premten, nuk do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, tha Murati.

Ai gjithashtu akuzoi drejtuesit e LDK-së për mospërkrahje të qëllimshme në Kuvend.

“Kjo e sqaron edhe pse Lumir Abdixhiku dhe deputetët e LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën. Në mungesë të kauzave reale, nuk po i kursejnë as qytetarët e kryeqytetit”, u shpreh Murati.

Ky reagim i ministrit Murati vjen në kohën kur Rama paralajmëroi krizë serioze të shërbimeve publike në Prishtinë, përfshirë ndërprerjen e transportit publik, për shkak të mungesës së mjeteve të alokuara.

Qeveria, ndërkohë, e hedh poshtë kategorikisht akuzën për bllokadë, duke e konsideruar situatën si pasojë të keqmenaxhimit komunal. /Telegrafi/