Kampionët bullgarë të Ludogoretsit edhe pse në letër kishin rolin e favoritit, u mposhtën në ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Evropës nga Shkëndija, e cila triumfoi 2-1 në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, njofton Telegrafi.

Paraqitja e kuqezinjve dëshmoi edhe njëherë se jo gjithmonë favoritët fitojnë, ndërsa gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit javën e ardhshme në Razgrad.


Pas ndeshjes, trajneri i Ludogoretsit, Rui Mota, nuk e fshehu zhgënjimin nga paraqitja e skuadrës së tij. Ai pranoi se pas golit të epërsisë, ekipi nuk reagoi siç duhet dhe u ndëshkua nga Shkëndija.

“E nisëm mirë dhe shënuam, por pas barazimit ndaluam së luajturi. Shkëndija tregoi shpejtësi të madhe në krahë dhe na goditi dy herë nga kundërsulmet. Humbëm shumë topa dhe në atë aspekt duhet të ishim më të kujdesshëm. E dinim që Shkëndija është skuadër e fortë, por nuk arritëm që ta ndalojmë,” – deklaroi Mota.

Ndeshja e kthimit ndërmjet Ludogoretsit dhe Shkëndijës do të luhet të enjten e ardhshme (ora 19:30) në Razgrad. Fituesi do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa i eliminuari do të vazhdojë garat në Ligën e Konferencës. /Telegrafi/

telegrafi sport app