Kryeministri ka komentuar edhe kundërshtitë në radhët e partisë së tij për zgjedhjen e presidentit, duke i vlerësuar si diçka normale në një demokraci. “Demokracia është diçka që mund dhe duhet të ketë ballafaqim idesh dhe alternativash. Sot Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, me vizion evropian, por edhe kundërshtime nga ana e opozitës, gjë që rrit vlerat e Kosovës”, është shprehur Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Thaçi ka refuzuar të komentojë zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si një çështje procedurale, por ka theksuar se institucionet e reja të Kosovës janë tërësisht legjitime. “Ato janë çështje procedurale të Kuvendit, por theksoj se institucionet kanë legjitimet të plotë qytetar dhe ligjor. Gjithçka që ka legjitimitet është e pranueshme edhe për qytetarët e Kosovës, si dhe Washingtonin dhe Brukselin”, ka nënvizuar Thaçi.


Më tej kryeministri ka shtuar se prioritete të tjera do të jenë vendosja e ligjit dhe konsolidimi i institucioneve, ndërkohë që ka rikonfirmuar qëndrimin se veriu është pjesë e pandashme e Kosovës, dhe se në asnjë rrethanë nuk do të cenohet rregullimi i brendshëm kushtetues i Republikës së Kosovës. /Telegrafi/