Mësimi për të qëndruar në këmbë është një etapë e rëndësishme dhe një nga më emocionueset për prindërit, sepse do të thotë që foshnja është një hap më afër të mësojë të ecë. Megjithatë, ngritja para kohe nuk është e dëshirueshme

Shumë prindër duan që fëmijët e tyre të arrijnë fazat e zhvillimit në kohë, dhe kur i arrijnë më herët, kjo sjell një emocion të madh. Ata ndihen krenarë, duke menduar se foshnja e tyre e veçantë po zhvillohet më shpejt, edhe pse zakonisht nuk është kështu.


Megjithatë, ka disa etapa që foshnjat tona realisht nuk duhet t’i arrijnë para kohe, sepse mund të jenë potencialisht të dëmshme për to. Këtu përfshihet edhe qëndrimi në këmbë.

Bebet duhet të fillojnë të qëndrojnë në këmbë më së herët rreth moshës shtatë muajsh, por nëse përpiqen më herët, kjo mund të jetë e dëmshme dhe është diçka që prindërit nuk duhet ta inkurajojnë, transmeton Telegrafi.

Terapistja pediatrike Kelsey McDonald, e cila ka doktoraturë në terapinë fizikale dhe punon në pediatri prej shtatë vitesh, ka shpjeguar pse ndodh kjo. Ajo thekson se bebet më të vogla se gjashtë muaj nuk duhet të qëndrojnë fare në këmbë.

Ajo vë në dukje se ijët e foshnjave janë kryesisht të përbëra nga kërci dhe nuk janë plotësisht të fortifikuara, ndaj qëndrimi i hershëm në këmbë “mund të përkeqësojë displazinë e ijëve ose të shkaktojë probleme të tjera ortopedike”.

“Kjo është thjesht sepse ijët e tyre ende nuk janë gati për të përballuar peshën e qëndrimit në këmbë,” tha ajo.

Ndonjëherë mund të duket sikur bebet më të vogla se gjashtë muaj duan të qëndrojnë në këmbë, por terapistja thotë se kjo zakonisht ndodh për shkak të tensionit të muskujve ose reflekseve.

Ajo tha se qarkullojnë shumë “dezinformata” që thonë se prindërit duhet të ndihmojnë bebet e tyre të ngrihen në këmbë kaq herët, por ajo thekson se “nuk duhet ta bëni këtë”. /Telegrafi/