Site icon Telegrafi

Monologu i Alketa Vejsiut në skenën e madhe të Sanremos: Jeta e vështirë dhe migrimi i shqiptarëve, faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona

Alketa Vejsiu në "Sanremo 2020" (Foto: Getty Images/Guliver)

Prezantuesja e mirënjohur shqiptare, Alketa Vejsiu, është ngjitur të enjten në skenën e madhe të festivalit të “Sanremos”.

Ajo është përzgjedhur si njëra nga prezantueset këtë vit, i festivalit që do të çojë fituesin e tij si përfaqësues të Italisë në “Eurovision 2020”.

Teksa ka moderuar krah producentit ekzekutiv të “Sanremos”, Amadeus, Alketa Vejsiu nuk i harroi shqiptarët dhe vendin e saj.

Alketa Vejsiu në skenën e madhe të festivalit italian, “Sanremo 2020” (Foto: Daniele Venturelli/Getty Images/Guliver)

Gjatë një monologu në skenën e madhe, ajo kujtoi se si “Sanremo” shihej fshehurazi nga shqiptarët, në kohën kur ishte e ndaluar të ndiqje kulturën e shteteve fqinj.

“Njëherë e një kohë, ishte një vend ku dëgjimi i [Claudio] Baglioni-t dhe [Adriano] Celentano-s ishte i ndaluar, bëheshe armik i popullit, mund të të kushtonte lirinë. Mund të përfundoje në burg. Njëherë e një kohë ishte një vend ku dyshonin nëse ishe bjonde, sepse bjonde ishte Raffaella Carrà. Njëherë e një kohë, ishte një vend ku italishtja mësohej nga transmetimet e Rai-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta dëgjonim fshehtas, pasi mbyllnim mirë dyert dhe dritaret. Faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse nuk na braktisët kurrë. Nuk na braktisët kur morëm anijet për të mbërritur në bregun përtej detit për një mundësi më të mirë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na keni dhënë shumë, na keni ndriçuar rrugën me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tuaj”, tha Alketa.

Alketa Vejsiu në skenën e madhe të “Sanremo 2020” (Foto: Daniele Venturelli/Getty Images/Guliver)

Duke u ndjerë më se krenare me të arriturat e bashkëkombësve të saj, Vejsiu nuk la pa përmendur këtu historinë e shqiptarit të vetëm që ka fituar “Sanremon”, i cili është këngëtari i njohur Ermal Meta.

Lexo po ashtu Alketa Vejsiu shkëlqen në "Sanremo 2020", prezantuesja shqiptare i bën krenarë bashkëkombësit me paraqitjen e saj

“[…] një djalë u largua me anije dhe zbarkoi në Itali, ku bëri atë që dukej e pamundur, fitoi Sanremon. Ai djalë është sot një emër i madh i muzikës italiane dhe quhet Ermal Meta, i cili me fitoren e tij në 2018-n ngriti peshë edhe krenarinë e shqiptarëve”, citoi me krenari para publikut italian moderatorja e mirënjohur shqiptare.

Momenti kur këngëtari shqiptar Ermal Meta dhe Fabrizio Moro fituan “Sanremo 2018” (Foto: Daniele Venturelli/Getty Images/Guliver)

Në përfundim të këtij monologu të veçantë, Alketa kujtoi edhe njëherë lidhjen e fortë që shqiptarët kanë krijuar ndër vite me shtetin fqinj, Italinë.

“Ne brohorasim gjithmonë jo vetëm muzikën tuaj, por gjithçka që ju takon. Kur Italia shënon gol në Kupën e Botës, ne gëzojmë po aq sa ju. Teksa po ju flas, më kujtohet ajo vajza e vogël që pyeti babin: pse e pëlqente aq shumë një këngë të Bobby Solo, ‘Una lacrima sul viso’. Dhe babi im më tha që kënga flet për lotin, i cili rrjedh pasi zemra thyhet dhe rritet e bëhet det. Unë i thashë me naivitetin e fëmijës që kërkon të mësojë gjithçka: ‘Ah, kjo është arsyeja pse loti është i kripur’”, ka thënë Alketa në skenën e madhe. /Telegrafi/

Alketa Vejsiu në skenën e madhe të “Sanremo 2020” (Foto: Daniele Venturelli/Getty Images/Guliver)
Exit mobile version