Mjallby AIF, sensacioni i futbollit suedez: Qyteti me 1500 banorë, një hap larg titullit historik

Sezoni 2025 i futbollit suedez po shkruan një nga historitë më të papritura të dekadës, me një klub që ka dominuar kampionatin.
Në një ligë të dominuar tradicionalisht nga gjigantë si Malmo FF – aty ku hapat e parë i hodhi Zlatan Ibrahimovic – apo Goteborg, që kujtohet për gjysmëfinalen e vitit 1986 kundër Barcelonës, modestët e Mjallby AIF janë vetëm një hap larg nga shpallja kampion i Allsvenskan për herë të parë në historinë e saj 86-vjeçare.
Nga Divizioni i Tretë në elitë
Vetëm shtatë vite më parë, Mjallby militonte në Divizionin e Tretë. Në vitin 2018, trajneri Jonas Andersson siguroi ngjitjen në Divizionin e Dytë, ndërsa një vit më pas, nën drejtimin e Milos Milojevic, skuadra arriti elitën e futbollit suedez.
Pas një debutimi të shkëlqyer në Allsvenskan me vendin e pestë, Mjallby qëndroi i fortë në mesin e tabelës për disa sezone, derisa në vitin 2025 shpërtheu duke u bërë kryefjala e futbollit skandinav.
Krenaria e një qyteti të vogël
Mjallby është një qytet me vetëm 1,500 banorë, por skuadra e tij ka fituar zemrat e një rajoni prej 15–20 mijë banorësh.
Stadiumi Strandvallen, i ndërtuar në vitin 2002 me kapacitet prej 7,500 tifozësh, është kthyer në simbol të një ëndrre kolektive, ku çdo ndeshje është festë dhe identiteti i qytetit forcohet përmes futbollit.
Dominim i papritur në ligë
Pas 22 javësh, Mjallby kryeson kampionatin me 16 fitore, 5 barazime dhe 1 humbje. Skuadra ka tetë pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Hammarby, duke lënë pas gjigantët tradicionalë si Malma, AIK dhe Goteborg.
Fitoret ndaj rivalëve direkt, përfshirë suksesin ndaj Malmö simysafir dhe triumfin kundër Djurgarden, gjysmëfinalist i Ligës së Konferencës, kanë tronditur hierarkinë e futbollit suedez.
Torstensson dhe heronjtë e fushës
Trajneri Anders Torstensson, në periudhën e tij të tretë në klub, ka ndërtuar një skuadër konkurruese dhe të qëndrueshme. Ai numëron 99 ndeshje në stolin e Mjallbyt dhe një mesatare mbresëlënëse prej 1.86 pikësh për ndeshje, më e lartë se çdo paraardhës i tij.
Me stilin e tij të lidershipit, Torstensson ka arritur të krijojë një ekip konkurrues dhe të qëndrueshëm në Allsvenskan . Çdo ndeshje është një hap më afër historisë së klubit, duke dëshmuar se numrat nuk llogariten vetëm për fitoret, por edhe për besimin dhe stabilitetin që sjell një trajner i fortë.
Një tjetër protagonist është portieri Noel Tornqvist, vetëm 23 vjeç. I formuar te akademia e Mjallbyt, ai është huazuar nga Como 1907 i Cesc Fabregas, por vazhdon të jetë gardiani i titullit për këtë sezon historik.
“Mjällby më ndihmoi të realizoj ëndrrën time të fëmijërisë”, u shpreh Tornqvist, duke lënë një mesazh të fortë lidhjeje me klubin e zemrës.
Palmarès dhe sfida e ardhshme
Historikisht, Mjällby numëron: 2 tituj të Divizionit të Dytë (2009, 2019), finaliste e Kupës së Suedisë 2022/23, humbje 4-1 kundër BK Hacken.
Tashmë, me vetëm tetë javë deri në fund, ëndrra më e madhe është në prag: titulli i parë i Allsvenskan.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, festa e madhe do të ndodhë në ndeshjen e fundit në Strandvallen, para një komuniteti që e ka kthyer futbollin në mënyrën më të bukur të të jetuarit historinë. /Telegrafi/























































