eksperti ad

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për ndërtimin e “Urës së Shtrubullovës”, e cila ishte dëmtuar nga vërshimet.

Sipas Bashës, projekti do të financohet plotësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, me një vlerë rreth 362 mijë euro, ndërsa ndërtimi i urës pritet të lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonës.


"Siç edhe u zotova publikisht, sot nënshkrova Memorandumin e Bashkëpunimit me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për ndërtimin e 'Urës së Shtrubullovës'", ka deklaruar Basha.

Ai ka theksuar se ura ka pësuar dëmtime serioze si pasojë e vërshimeve, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.

"Kjo urë është dëmtuar si pasojë e vërshimeve, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim për banorët e kësaj zone", ka shtuar ai.

Ministri ka bërë të ditur se Ministria do të financojë plotësisht projektin dhe ka shprehur pritjen që procedurat të përfundojnë sa më shpejt.

"Ministria jonë do ta financojë plotësisht ndërtimin e urës, me vlerë prej ~362 mijë euro, dhe uroj që procedurat të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që banorëve t’u rikthehet qasja e sigurt në këtë segment rrugor", ka deklaruar Basha.

Ai ka shtuar se, ndonëse prioritet mbeten projektet e mëdha infrastrukturore, do të vazhdojë mbështetja edhe për projekte lokale me rëndësi për qytetarët.

"Edhe pse prioritetet tona janë investimet në autoudhë, rrugët nacionale dhe rajonale, nuk do të mungojë mbështetja jonë edhe për projekte si kjo në Drenas, kur ato janë të domosdoshme për qytetarët dhe kur kemi mundësi të kontribojmë në realizimin e tyre", ka përfunduar ai. /Telegrafi/