Minatorët e Kishnicës mbesin pa paga, thonë se menaxhmenti i “Trepçës” i gënjeu

Menaxhmenti i ndërmarrjes publike "Trepça" i'u kishte premtuar minatorëve të njësisë në Kishnicë se do t'iu vendos pagat për të cilat janë në grevë tash e më shumë se një muaj.
Xhevdet Jonuzi, përfaqësuesi i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës ka thënë se u.d. kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje publike, Faton Ahmeti është takuar me minatorët e Kishnicës në të premten e 23 majit, shkruan Telegrafi.
Sipas Jonuzit, në këtë takim Ahmeti i'u premtoi minatorëve që do t'iu vendos pagat të hënën ose të martën.
"Ahmeti është takuar me ne të premten, na ka premtuar se do të na vendos pagat të hënën ose të martën më së largu. Sot e mërkurë, pagat nuk kanë dalur dhe s'janë askund", ka thënë Jonuzi për Telegrafin.
Ai u shpreh i zhgënjyer, duke u shprehur se Ahmeti "i ka gënjyer shumë keq".
"Ai na ka gënjyer shumë keq, kam besuar shumë që do ta mbaj premtimin por na gënjeu", u shpreh ai.
Për të marrë një qëndrim edhe nga ndërmarrja publike "Trepça" për këtë situatë, Telegrafi i'u ka dërguar pyetje që nga e hëna por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/


















































