Minatorët e Flotacionit të Kishnicës në grevë, nuk i morën pagat e muajit mars

Nga sot, minatorët e Flotacionit të Kishnicës kanë hyrë në grevë sepse ende nuk i kanë marrë pagat e muajit mars.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar Xhevdet Jonuzi, përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.
Jonuzi ka thënë se sot ka filluar greva e cila është paralajmëruar që nga java e kaluar, shkruan Telegrafi.
“Po, sot kanë hyrë në grevë minatorët e Flotacionit të Kishnicës. Grevën e kemi paralajmëruar që nga java e kaluar. Arsyeja është mos-realizimi i pagave për muajin e kaluar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kjo çështje është adresuar edhe tek menaxhmenti i ndërmarrjes publike “Trepça” dhe sipas tij, menaxhmenti është “arsyetuar” tek bllokimi i xhirollogarive.
“Menaxhmenti është arsyetuar tek bllokimi i xhirollogarive, nuk mund të bllokohet xhirollogaria vetëm për njësinë në Kishnicë”, është shprehur Jonuzi.
I pyetur se deri kur do të zgjasë kjo grevë, ai ka shtuar se kjo situatë do të vazhdojë deri kur do të realizohen pagat.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me menaxhmentin e ndërmarrjes publike për të marrë një qëndrim edhe nga ana e tyre, por ata nuk ishin të qasshëm. /Telegrafi/



















































