Nuk ishin statistikat e shumta apo analiza e thelluar e paraqitjeve të tij te Bologna që e bindën Riccardo Calafiorin të zgjidhte Arsenalin mes një vargu klubesh të mëdha që po trokisnin në derën e tij rreth 18 muaj më parë.

Ishte Mikel Arteta ai që fitoi avantazhin, duke përdorur një qasje krejtësisht të pazakontë: një foto të familjes së Calafiorit.


Nuk bëhej fjalë për ndonjë skenar ekstrem, por për një tjetër shembull të mënyrës së veçantë se si Arteta e ushtron rolin e tij emocionalisht të ngarkuar si figurë udhëheqëse e Arsenalit.

“Në herën e parë që pata kontakt me Arsenalin, mendoj se ishte pak para Kampionatit Evropian”, kujton Calafiori në një intervistë ekskluzive për “Sports Illustrated”, duke u kthyer pas në verën e vitit 2024.

Në atë periudhë, qendërmbrojtësi i gjithanshëm ishte një nga emrat më të kërkuar në treg, pasi kishte siguruar një vend në kombëtaren e Italisë të drejtuar nga Luciano Spalletti, falë paraqitjeve mbresëlënëse me Bolognën, e cila regjistroi renditjen më të mirë në kampionat pas më shumë se 50 vitesh.

“Gjatë gjithë sezonit nuk doja të dëgjoja për thashetheme rreth sezonit tim të ardhshëm, sepse doja të isha i përqendruar te skuadra ime dhe te kombëtarja”.

Ai shpjegon se takimi i parë me Artetën nuk kishte në qendër presionin për një vendim të shpejtë, por vizionin afatgjatë të projektit.

“Në fillim, ai thjesht donte të më takonte dhe të më shpjegonte se si do të dukej projekti me mua. Më tregoi shumë gjëra, shumë detaje, shumë statistika dhe madje më tregoi edhe disa imazhe të familjes sime.”

Por ajo që i mbeti më shumë në mendje mbrojtësit italian nuk ishin shifrat apo grafikat, por pikërisht qasja njerëzore e trajnerit spanjoll.

“Kjo është një pjesë që nuk do ta harroj kurrë. Që fëmijë kam qenë shumë i lidhur me nënën time, si çdo italian, por edhe me babain dhe motrën time. Ai më pyeti se çfarë përfaqëson familja për mua dhe më tregoi disa imazhe të motrës sime, të nënës apo të babait”.


Liverpool, Chelsea dhe Manchester United u përfolën gjithashtu si destinacione të mundshme për Calafiorin, por asnjë prej tyre nuk shfaqi atë ndjeshmëri dhe aftësi njerëzore që Arteta demonstroi që në takimin e parë dhe gjatë 18 muajve në vazhdim.

Edhe sot, ajo vëmendje ndaj detajeve vazhdon të jetë prezente në përditshmërinë e tij te Arsenali.

“E shoh sa shumë kujdeset për mua, sa i përqendruar është dhe sa shumë dëshiron që unë të përmirësohem”.

“Çdo detaj, çdo ditë. E mbaj mend këtë që nga fillimi i fazës përgatitore. Ne po punonim që atëherë mbi mekanizma të rinj dhe taktika të reja. Ai po mendonte për fillimin e sezonit që në atë moment”, thotë Calafiori për Artetan./Telegrafi

telegrafi sport app