Rreth 13,000 njerëz janë evakuuar në veri-lindje të Filipineve pasi vullkani më i famshëm i vendit, Mayon, vazhdoi të lëshonte llavë.

Duke hipur në kamionë dhe karroca të tërhequra nga kafshët, njerëzit që jetonin brenda "zonës së përhershme të rrezikut" ose në rreze prej gjashtë kilometrash u larguan drejt strehimoreve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Vullkani filli të nxirrte llavën javën e kaluar, por evakuimet filluan vetëm gjatë fundjavës pasi aktiviteti vullkanik u intensifikua.

Aktualisht është nën paralajmërimin e tretë më të lartë në një sistem me pesë nivele që parashikon kërcënimin e një shpërthimi të rrezikshëm.

I vendosur në një gadishull bujqësor të quajtur Bicol, Mayon është ndër vullkanet më aktivë të vendit.

Një shpërthim në 1814 vrau 1200 njerëz dhe varrosi një qytet të tërë. /Telegrafi/