MF: Borxhi publik i shtetit arrin në 10,064,1 milionë euro

Borxhi publik i shtetit, deri më 31 dhjetor 2025, arrin në 10,064,1 milionë euro, që përbën 59,6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), njoftoi sot Ministria e Financave.
Sipas ministres resor Gordana Dimitrieska Koçoska, kjo shumë e borxhit publik është një tregues i qartë dhe i fortë për përpjekjet drejt financave publike të qëndrueshme dhe konsolidimit fiskal, dhe njëkohësisht do të thotë edhe respektim i kritereve të Maastrichtit, sipas të cilave borxhi publik duhet të jetë nën 60 për qind të PBB-së.
“Duhet të jem e sinqertë dhe të them se sipas parashikimeve tona, në përputhje me Strategjinë për Menaxhimin e Borxhit Publik, edhe pse Ministria e Financave ka punuar shumë, ishte parashikuar që borxhi të lëvizte pak mbi 60 për qind. Por, edhe njëherë mund të tregojmë dhe dëshmojmë se me punë të përkushtuar, planifikim të kujdesshëm dhe kontroll të rreptë të çdo shpenzimi, duke u kujdesur për çdo shpenzim jo vetëm të qeverisë qendrore, por edhe për mënyrën se si shpenzohen kreditet që tërhiqen nga ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionere, mund të arrijmë rezultate edhe më shpejt se sa kemi pritur”, deklaroi Dimitrieska Koçoska.
Ministrja e Financave sqaroi se niveli më i ulët i borxhit publik krahasuar me pritshmëritë i atribuohet kryesisht shpenzimit të kujdesshëm në kuadër të buxhetit qendror, por edhe tërheqjes së kontrolluar dhe me faza të mjeteve kreditore nga ndërmarrjet publike.
Në këtë proces, ajo theksoi se një rol të rëndësishëm luajnë Sektori i Buxheteve në Ministrinë e Financave, i cili ndjek në mënyrë të vazhdueshme gjendjet dhe raportet financiare të këtyre shoqërive, si dhe Sektori për Financat Ndërkombëtare, përmes të cilit realizohet tërheqja e mjeteve.
E pyetur për pritshmëritë për lëvizjen e borxhit publik deri në fund të vitit, ministrja tha se nuk pret që të tejkalohet 60 për qind, por shtoi se do të shihet si do të rrjedhë viti, i cili në masë të madhe varet nga realizimi i të ardhurave.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi publik i jashtëm arrin në 4,493,9 milionë euro, ndërsa borxhi publik i brendshëm është 4,570,2 milionë euro. Borxhi shtetëror deri në fund të vitit 2025 arrin në 538,253,1 milionë euro, përkatësisht 51,8 për qind të PBB-së, duke shënuar një ulje prej 1,2 pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm.




















































