Kancelari gjerman Friedrich Merz i kërkoi të mërkurën Evropës të mos lejojë Rusinë të përcaktojë kushtet e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, duke paralajmëruar se duke vepruar kështu, vetëm sa do ta inkurajonte presidentin Vladimir Putin "të kërkonte objektivin e tij të radhës".

"Putini ka qenë duke testuar kufijtë për një kohë të gjatë", tha Merz në parlament ndërsa po i drejtohej ligjvënësve si pjesë e javës së buxhetit.


"Ai saboton, spiunon, vret, përpiqet të shqetësojë njerëzit", transmeton Telegrafi.

Merz tha se kjo kishte qenë e dukshme në Poloni javën e kaluar, kur dronët rusë shkelën hapësirën ajrore të vendit dhe u qëlluan mbi territorin e saj për herë të parë.

Putini po kërkonte gjithashtu të destabilizonte shoqërinë gjermane, paralajmëroi kancelari.

"Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë", theksoi Merz, duke shtuar se Gjermania po forcon rezistencën dhe aftësitë e saj mbrojtëse pikërisht për këtë arsye.

"Ne duhet t'i dekurajojmë kundërshtarët tanë nga agresioni i mëtejshëm dhe në të njëjtën kohë t'i afrojmë aleatët dhe partnerët", tha ai.

Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës pas pushtimit rus të vitit 2022. Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius javën e kaluar, vendi që atëherë e ka tejkaluar SHBA-në dhe tani është furnizuesi më i madh i ndihmës ushtarake. /Telegrafi/