Site icon Telegrafi

Media serbe: Kosova po përgatit fitoren më domethënëse deri tani në luftën diplomatike me Serbinë

Perëndimi dëshiron që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje bazë në vitin 2023, bazuar në draftin franko-gjerman, i cili ndërkohë është bërë një propozim zyrtar i BE-së. Për palën serbe është veçanërisht problematike e dispozita e këtij plani për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Media serbe “Nova.rs” shkruan se në fund të vitit të kaluar, autoritetet serbe nisën një iniciativë serioze për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kurse ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, konfirmoi se 10 vende janë të gatshme ta bëjnë këtë. Në anën tjetër, Kosova pretendon se është në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe se ka siguruar vota të mjaftueshme për këtë.

Sipas informacioneve jozyrtare, pas Krishtlindjeve në Beograd do të vijnë ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe këshilltarët e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz –  Emmanuel Beaune dhe Jens Plettner.

Pritet që në tavolinë të jetë një marrëveshje në bazë të planit franko-gjerman.

Boshko Jakshiq, komentues i politikës së jashtme, thotë se si iniciativa serbe për tërheqjen e njohjeve, ashtu edhe synimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, tregojnë se Marrëveshja e Uashingtonit formalisht nuk është më e vlefshme dhe se të dyja palët i janë kthyer praktikave të konfliktit.

“Tani mund të presim që të dyja palët të luftojnë për suksesin e projekteve të tyre. Aktualisht, siç janë gjërat, Kosova duket se ka një avantazh, sepse është më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Nga ana tjetër, ende nuk e dimë se cilat shtete e kanë tërhequr njohjen, edhe pse presidenti Vuçiq ka premtuar disa herë se do ta shpallë. Shtrohet pyetja nëse është ai numër shtetesh, cilat shtete janë, pse mbahet sekret… Më duket se kjo ngre dyshime”, thotë Jakshiq, transmeton Telegrafi.

I pyetur nëse nisma për tërheqjen e njohjeve është karta me të cilën Serbia hyn në negociatat për propozimin franko-gjerman, Jakshiq  thotë se padyshim është një përpjekje për ta bllokuar atë marrëveshje.

“Një nga risitë e tij kryesore është që Kosovës t’i mundësohet të hyjë në OKB, pa pasur nevojë të arrihet te njohje bilaterale. Përgjigja e Beogradit është se Serbia absolutisht nuk do ta pranojë këtë. E vetmja gjë që mund të bëjë Serbia është të lobojë në disa vende, nuk dua të tingëllojë keqdashëse, por disa vende të Paqësorit apo Afrikës… Nëse kjo krahasohet me kërkesën për anëtarësim në OKB, atëherë 10 vende nuk do të thotë asgjë. Është një lloj fitoreje e Pirros për diplomacinë serbe, nëse vazhdohet me këtë proces për ta futur Kosovën në OKB dhe në Këshillin e Evropës, para kësaj”, vlerëson Jakshiq.

Ai thekson se “është e qartë se ai front diplomatik po bëhet gjithnjë e më i ashpër dhe kjo tregon se edhe në atë front Kosova ka gjithmonë një avantazh të vazhdueshëm ndaj Serbisë – sepse ka aleatë më të fuqishëm”.

Në anën tjetër, Dushan Milenkoviq nga Qendra për Dialog Social dhe Iniciativa Rajonale thotë se pas iniciativës për tërheqjen e njohjes së Kosovës qëndron krijimi i një pozicioni më të mirë në negociatat përfundimtare me Kosovën. Ai beson se në këtë mënyrë Serbia forcon pozicionin e saj.

“Serbia pyetet më pak se Rusia dhe Kina rreth asaj nëse Kosova do të hyjë apo jo në OKB. Hipotetikisht, edhe nëse Serbia dëshiron që Kosova të anëtarësohet në OKB, kjo nuk është aq e rëndësishme sesa potenciali që Rusia të tregtojë me Kosovën në lidhje me territoret e aneksuara së fundi dhe Kina për të negociuar, qoftë për Tajvanin apo për disa interesa të tjera të saj. Çfarëdo që të shkruhet në marrëveshjen franko-gjermane, sa i përket anëtarësimit në OKB, ajo që Serbia kundërshton ose jo, nuk ka ndonjë peshë në raport me atë se çfarë janë interesat e Rusisë dhe Kinës”, përfundon Milenkoviq, transmeton Telegrafi.

Kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai thekson se është vazhdimësi e një politike që synon marrjen e sa më shumë njohjeve ndërkombëtare.

“Është e pritshme dhe mendoj se edhe zyrtarët tanë kanë thënë se është çështje kohe. Kjo nuk ka të bëjë me pozicionin e Kosovës në negociatat e mundshme, vetëm i jep Serbisë argumente shtesë për të filluar sërish fushatën e çnjohjeve, të cilën e kishin ndërprerë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit”, beson Milenkoviq.

Në ditën e parë të vitit 2023, ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq deklaroi se deri më tani është publikuar një listë me 18 shtete që kanë tërhequr njohjen, ndërsa emrat e nëntë vendeve nuk janë publikuar.

“Ne presim që në javët e para të këtij viti të ketë dhjetë vende që do të tërheqin njohjen, e të cilën nuk e kemi shpallur”, tha Daçiq.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se ka pasur disa “non-paper” që Serbia i ka dërguar në adresë të Këshillit të Evropës në Strasburg kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por, sipas tij, “atë betejë e ka humbur”.

“Ne kemi lobuar në disa nivele, diplomatike apo politike, për të siguruar mbështetje në vota dhe e kemi siguruar atë mbështetje, është dhënë interpretimi ligjor se nuk ka pengesa dhe se është një betejë e humbur për Serbinë”, tha Ahmeti. /Telegrafi/

 

Exit mobile version