Me 79 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë voton për shpalljen e Iranit si vend që sponsorizon terrorizmin

Kuvendi i Shqipërisë me 79 votat e Partisë Socialiste ka votuar për shpalljen e Iranit si shtet financues të terrorizmit dhe shpalljen e Gardës Revolucionare si organizatë terroriste.
58 deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në sallë, duke e konsideruar aktin si agjendë personale të Ramës.
Në votim pati një abstenim, që erdhi nga deputeti i Lëvizjes Bashkë Redi Muçi, ndërkohë që nuk pati asnjë votë kundër.
Më herët kreu i Grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se iniciativa vjen në një kontekst të ndjeshëm për sigurinë kombëtare, duke kujtuar se vetëm pak ditë më parë Kuvendi ishte shënjestër e një sulmi kibernetik, raporton A2cnn.
“Sot nuk kemi të bëjmë me incidente të zakonshme teknologjike, por me akte armiqësore që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionimin normal të shtetit”, u shpreh Balla.





















































