Mbi 40,000 € të mbledhura për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve në Kosovë

Edicioni i 9-të i ngjarjes vjetore “Let’s Dance”, organizuar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, vendosi rekord duke mbledhur mbi 40,000 € në mbështetje të programeve të AMC që shpëtojnë jetë dhe krijojnë të ardhme më të shëndetshme në Kosovë!
“Mjetet e mbledhura do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në jetën e kaq shumë grave dhe fëmijëve,” tha Drejtorja Ekzekutive e AMC, Rina Demiri Spahija. “Qasja në kujdes shëndetësor cilësor nuk është privilegj, por e drejtë themelore dhe themeli për një të ardhme të shëndetshme.”
Këtë vit, “Let’s Dance” mblodhi qindra mbështetës të AMC-së më 23 shtator në sallën AMC Hall. Ishte një mbrëmje me muzikë, rrjetëzim dhe festë me qëllim. Ndër momentet më të veçanta ishin performanca live nga Florent Abrashi, fitues i “The Voice of Albania 3”, si dhe seti energjik i Adrian Berishës, që ndezi atmosferën edhe në Sunny Hill Festival këtë verë.
"Let’s Dance” është një nga ngjarjet më të mëdha vjetore të AMC-së për mbeldhje të fondeve dhe mbështet programet e tona, të cilat përfshijnë skrining falas për kancerin e qafës së mitrës, programin e vizitave shtëpiake për nëna dhe fëmijë, edukim për gratë shtatzëna dhe prindërit e rinj, si dhe sigurimin e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore jetike për të ndihmuar institucionet publike shëndetësore që të ofrojnë kujdes më cilësor. Partnerët e AMC përfshijnë Ministrinë e Shëndetësise, United Nations Children's Fund (UNICEF), United Nations Population Fund (UNFPA) dhe Canada Fund for Local Initiatives (CFLI).
Behare Zeqiri, njëra nga folëset e këtij viti në ngjarjen “Let’s Dance”, ndau historinë e binjakëve të saj, të cilët ishin ndër të parët që përfituan nga donacionet e AMC-së me aparatet e frymëmarrjes me presion pozitiv të vazhdueshëm (CPAP).
“Ka qenë një kohë shumë e vështirë për familjen tonë sepse nuk e dinim nëse do t’ia dilnin, por pasi morën terapinë, ata filluan të përmirësoheshin,” tha Zeqiri. “Sot, Orgesi dhe Orgeti janë 19 vjeç, kanë përfunduar shkollën e mesme dhe kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e policisë. Jemi shumë krenarë për ta dhe për rrugëtimin e tyre. Falë Zotit dhe falë AMC-së, sot ata gëzojnë shëndet të mirë, e që për mua kjo është dhurata më e madhe në jetë.”
Të ftuarit e këtij viti gjithashtu dëgjuan edhe nga një përfituese e donacionit të ngjarjes së vitit të kaluar, ku u mblodhën 27,000 € për të siguruar pompa insuline dhe materiale esenciale për 10 fëmijë me diabet të tipit 1. Në një video mesazh, Emi Uka foli për ndryshimin e madh që pompa e insulinës ka sjellë për djalin e saj 12-vjeçar, Siarin.
“Para se të merrnim pompën – që Siari e ka sot falë AMC-së dhe donatorëve – ishte shumë e vështirë për ne të dilnim jashtë,” tha Uka. “Sot, Siari mund të dalë vetë…Do të doja që çdo fëmijë me diabet të kishte një pompë, sepse pompa nuk është luks, por një mjet jetik.”
Suksesi i “Let’s Dance” nuk do të ishte i mundur pa sponsorët tanë bujarë: Crimson Capital (Platin), Coca-Cola HBC (Artë), Mentor dhe Michelle Ahmeti (Artë), Banka Ekonomike (Argjendtë), FINCA Kosovo (Argjendtë), NEPTUN (Argjendtë); ACIBADEM (Bronztë), AMF Capital AG (Bronztë), Besa Pharm dhe Besa Security (Bronztë), BBros (Bronztë), BPB (Bronztë), KEP Trust (Bronztë), KRK (Bronztë), Limak (Bronztë), Meridian Express dhe SPAR (Bronztë), NLB Banka (Bronztë), PBC (Bronztë), Prime Events (Bronztë), RSR Kosova (Bronztë), SIGAL UNIQA Group (Bronztë).
AMC gjithashtu falënderon përkrahësit tanë: Florent Abrashi, Adrian Berisha, Fitore Rexhepi, Theranda Vineyards & Wine, Ardian Graphics, Arben Llapashtica, Chocolate Corner, Coca-Cola HBC, Gekos, Gjirafa, GO+, Sirius Hotel, KA Catering, Katror Media, Arbër Murturi - Maesta Film KosovaJob, Mama Mantia, Papirun, Rugove Corporation, Tartine, Telegrafi, Tenda Muzaqi, Zhuzuff Kitchen.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është organizatë jofitimprurëse që punon për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar shëndetin e foshnjave, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. AMC avokon për kujdes shëndetësor më të mirë përmes edukimit, mbledhjes së fondeve dhe hulumtimit.
Për më shumë informacion, vizitoni AMCHealth.org.















































