LAJMI I FUNDIT:

Mbi 1.2 milion të aftë për punë, të punësuar vetëm 357 mijë persona

Mbi 1.2 milion të aftë për punë, të punësuar vetëm 357 mijë persona

Kosova vazhdon ta ketë një normë të lartë të popullsisë, kryesisht të moshës së re që janë të aftë për punë dhe nuk arrin të janë aktiv.

Kjo shkallë e lartë e papunësisë rreth 900 mijë, është më e lartë edhe se në të gjitha shtetet fqinje.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga gjithsej 1 milion e 202 mijë e 89 banorë, popullsi aktive të aftë për punë, 357 mijë e 95 janë të punësuar, ndërsa 845 mijë e 394 janë të papunë.


Ndërsa, sipas të dhënave zyrtare në Maqedoni nga gjithsej 953 mijë e 692 popullsi aktive, të aftë për punë, 754 mijë e 206 janë të punësuar, kurse 208 mijë e 486 janë pa punë.

Por, edhe pse ASK deklaron se janë mbi 1 milion e 200 mijë persona të aftë për punë, prapë sipas raporteve të kësaj agjencie në vitin 2017, shkalla e papunësisë është 30.5 për qind.

Edhe sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Kursimeve Pensionale, kontribuues aktivë janë 349 mijë e 529 persona, ose të punësuar në të gjithë sektorët.
Kundër këtyre statistikave të ASK-së, në lidhje me shkallën e papunësisë ka dalë kryetari i BSPK-së Avni Ajdini dhe profesori i makro ekonomisë, Musa Limani.

Ky i fundit thotë se papunësia është deri 40 për qind, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin privat dhe publik janë rreth 350 mijë.

Profesori Limani tha se çka është më e keqja as Parlamenti, e as Qeveria nuk e kanë në agjendë zbutjen e papunësisë.

“Një milion e 200 mijë deri një milion e 400 mijë persona, të cilët janë të aftë për punë, ose që e quajmë ne kontingjenti i punës, heq prej tyre nxënësit e shkollës së mesme, studentët, ushtarakët e tjerë, prapë mbetet një kontingjent jashtëzakonisht i madh diku 800 deri 900 mijë veta… Janë mbi 350 mijë të punësuar, mirëpo kjo është një numër jashtëzakonisht i vogël krahasuar me numrin e popullsisë aktive në Kosovë. Prandaj, nga kjo del konstatimi se me të vërtetë popullata e Kosovës gjendet në një kataklizëm dhe si problem social, veçmas më e theksuar është papunësia te rinia. Çka është me e keqja, edhe pse dihet se Kosova ka nivelin më të ulët të zhvillimit ekonomik, as Qeveria e as parlamenti deri më tani nuk e kanë future në gjenden e tyre që ta shtrojnë këtë problem ose të zbutet problemi i papunësisë”, ka thënë Limani.

Ai ka shtuar se Kosova gjendet në një kaos ekonomiko-social. Limani thotë se si prioritet, kjo Qeveri duhet ta ketë hartimin e strategjisë zhvillimore afat gjate të Kosovës në një periudhë dhjetë vjeçare.

“Në aspektin e punësimit, po ashtu jemi diku 1.5 herë më pak se sa që është norma e papunësia në Maqedoni, pra, edhe këtu ngelim dhe cilin do vend të marrim sidomos këto vendet fqinje, Serbia është më e zhvilluar, por Serbia, Maqedonia, bile Mali Zi është shumë lart me një normë të punësimit. Do të thotë ne për nga norma e punësimit kemi normë më të ulët në rajon, kurse normën e papunësisë e kemi më të lartë. Këto shifra tregojnë që ne jemi vendi më i pa zhvilluar në rajon, në Evropë dhe hymë në radhën e vendeve të pa zhvilluara të botës”, ka thëna Limani.

Po ashtu Limani ka shtuar se paga mesatare në Kosovë sillet diku 490 euro, në sektorin publik, ndërsa, sipas tij, paga mesatare në Maqedoni është shumë më e lartë se sa paga mesatare në Kosovë. Derisa sipas të dhënave zyrtare paga mesatare në Maqedoni është 541 euro.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, ka thënë për KosovaPress se moshës e re, e dominon numrin e të papunëve në Kosovë.

“Moshën mesatare në Kosovë e kemi 27-28 vjeçare, prej kësaj moshe 80 për qind janë të gatshëm për punë”, ka thënë Ajdini.

Ai ka shtuar se paga mesatare në sektorin privat është 361 euro, ndërsa paga mesatare në sektorin publik është 519 euro.

Sipas Ajdinit, në sektorin e ndërmarrjeve publike paga mesatare është 650 euro, derisa sipas tij, me paga më të ulëta është sektori privat.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në sektorin publik është 525 euro, në sektorin privat paga mesatare 371 euro, dhe në sektorin e ndërmarrjeve publike 660 euro.
Brenda katër vjetësh, paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka shënuar rritje për 20 për qind ndërsa papunësia ka vazhduar të jetë e njëjtë.

Pak më mirë i kanë punët punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kryetari Sindikatës së Re në KEK, Rafet Osmani ka thënë se paga mesatare në këtë korporatë është rreth 700 euro.

“Paga mesatare në KEK, tash pas rritjes së pagave që e patëm për shkak të protestave të shumta që i mbajtëm edhe në Prishtinë, edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës, që u realizua me pagën e marsit (100 euro), paga mesatare tash në KEK është diku 680 euro”, ka thënë Osmani. /KP/Telegrafi/