Mbahet “Panairi i Punës dhe Karrierës” në Mitrovicë, prezantohen një numër i bizneseve

Sot është mbajtur “Panairi i Punës dhe Karrierës” në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Në këtë panair morën pjesë student dhe nxënës të shkollave të mesme të Mitrovicës.
Panairi ku u prezantuan një numër i bizneseve nga Mitrovica u organizua nga Qendra për Zhvillim në Karrierë me mbështetje të GIZ-it, shkruan Telegrafi.
Në ceremoninë hapëse, rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre për organizmin e “Panairit për Punë dhe Karrierë”.
Ajo ka thënë se ky është një rast i mirë për studentët dhe për nxënësit e shkollave të mesme, që të njihen me bizneset, me punën e tyre dhe mundësitë që ato ofrojnë sa i përket punës dhe karrierës.
Një fjalë rasti në këtë ngjarje e ka mbajtur edhe drejtori për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës, Elvis Feka, i cili ka folur për masat e ndërmarra sa i përket mbështetjes së bizneseve në Mitrovicë.
Ai ka vlerësuar rëndësinë e ngjarjeve sikur “Panairi për Punë dhe Karrierë” për vetë bizneset, por edhe për studentët dhe të rinjtë në përgjithësi, të cilët mund të informohen për mundësitë sa i përket punës praktike dhe punësimit.
Ndërsa në emër të bizneseve, ka folur përfaqësuesi i InstaBuilt, Besart Hajrizi, i cili ka potencuar rëndësinë e ndërlidhjes dhe intensifikimit të punës dhe angazhimeve ndërmjet universiteteve, institucioneve dhe bizneseve.
“Të pranishmëve ju drejtua me një fjalë rasti edhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Elmedina Kurti, e cila shprehu kënaqësinë që studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme mund të njihen për së afërmi me perspektivën që ofron biznesi për karrierën dhe të ardhmen e tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/




































